Lehtësohet dukshëm kalimi i mallrave dhe qytetarëve ndërmjet Kosovës e Shqipërisë

Duke nisur nga sot, bizneset nuk do të kryejnë më procedura që zgjasin me ditë të tërë për kalimin e mallit në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Lajme

19/06/2014 19:24

Aplikimi i transitit të përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës e bën të mundur nisjen e mallrave transit nga Shqipëria me destinacion doganat në brendi të Kosovës, dhe anasjelltas, duke reduktuar kohën e qëndrimit dhe koston për biznesin.

“Nëse një kamion vjen me anije dhe niset nga Durrësi për të arritur në Kosovë, më parë duhet të bënte një sërë transitesh, ndërkohë që me transitin e përbashkët që nis nga sot,  mallrat nga dogana e Durrësit apo cilido vend tjetër i Shqipërisë kalojnë kufirin në Morinë-Vërmicë për 5 minuta dhe vijojnë në vendin e doganimit në brendi të Kosovës, dhe anasjelltas”, deklaroi drejtoresha e përgjithshme e Doganave të Shqipërisë, Elisa Spiropali, raporton Top-Channel.

“Biznesi do të ketë kosto më të ulët e më të shkurtër për të qarkulluar mallrat mes Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës.

Një tjetër çështje problematike, e vërejtur veçanërisht në verë, është qëndrimi për orë të tëra në kufi i qytetarëve nga Kosova që shkojnë në Shqipëri.

“Nuk janë të pazakonta radhët e gjata në kufirin Morinë-Vërmicë, sidomos në pikën e kufirit të hyrjes në Shqipëri, gjatë periudhës së verës, ndaj do të mundësojmë procedura të lehtësuara për kalimin e shpejtë të qytetarëve në atë pikë”, tha Spiropali.

Drejtorët e Doganave të Shqipërisë dhe Kosovës nënshkruan edhe një marrëveshje për ndërtimin e terminalit të përbashkët Shqipëri-Kosovë, me financim të delegacionit të BE.