Lehtësisht në Gjilan

Isa Mustafa mendon se LDK do ta fitojë pa problem Gjilanin, e pastaj edhe krejt Kosovën. Ai foli lehtësisht. Thotë se Hashim Thaçi është borxhliu më i madh i kësaj komune dhe e fton atë për të kërkuar falje.

Lajme

21/09/2013 15:36

Lidhja Demokratike e Kosovës beson se do t’i fitojë së pari komunat, e pastaj edhe zgjedhjet në nivel kombëtar.

Gjatë një tubimi me Forumin e Gruas së LDK’së në Gjilan, Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa tha se LDK do të fitojë “pa problem” në këtë komunë, raporton Rajonipress.

Ai ka qenë të shtunën në Gjilan për ta mbështetur kandidatin e vet për Kryetar të Komunës, Lutfi Haziri. Nëse fiton, Haziri do të kthehet përsëri në karrigen e të parti të komunës, të cilën e kishte lëshuar në fillim të vitit 2005 kur u promovua Ministër në Qeverinë e Kosovës.

“Fitorja jonë nuk është dëshirë e jona, por është realitet, sepse Gjilani është qeverisur mirë e drejtë në kohën e LDK’së dhe në kohën e Lutfi Hazirit”.

“LDK do të tregojë vlerat e veta për Gjilanin dhe jemi të bindur dhe besojmë në ndryshime. Do ta fitojmë së pari Gjilanin dhe pastaj tërë komunat, e në fund edhe krejt Kosovën”.

“Gjilani është abuzuar keq nga pushteti aktual dhe ai qendror. Thaçi është borxhliu më i madh i Gjilanit dhe duhet të kërkojë falje publike. Gjilani vërtet është popull i urtë e i sjellshëm, por nuk harron. I them Thaçit ‘eja në Gjilan sa herë që të duash, por sjell me vete edhe 7 milionë eurot që janë borxhe të shkaktuara nga keqqeverisja e tij”.

Edhe kandidati i LDK’së për Kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri, u shpreh i bindur për fitoren e tij.

“Me ardhjen e LDK’së në Gjilan në pushtet ne e ndalim abuzimin, korrupsionin. Gjilani dhe qytetarët e saj duhet të votojnë sikurse në vitin 2000, sepse ndryshimi vjen vetëm me votat tuaja”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës po e zhyt edhe vetë Kosovën në borxhe dhe ndëshkimi më i madh për këtë pushtet lokal e qendror është vota e qytetarëve.