Legjendat luajnë për bamirësi

Ronaldo, Zinedine Zidane, Luis Figo e Paolo Maldini, janë disa nga legjendat që do të jenë pjesë e ndeshjes ekzibicionale që do të zhvillohet të martën në Zvicër. Ndeshja, që do të zhvillohet ndërmjet Ronaldo, Zidane dhe Shokët, kundër BSC Young Boys dhe Shokët, është e 11’ta rresht, që luhet çdo vit kundër varfërisë, ndërsa…

Sport

03/03/2014 09:29

Ronaldo, Zinedine Zidane, Luis Figo e Paolo Maldini, janë disa nga legjendat që do të jenë pjesë e ndeshjes ekzibicionale që do të zhvillohet të martën në Zvicër.

Ndeshja, që do të zhvillohet ndërmjet Ronaldo, Zidane dhe Shokët, kundër BSC Young Boys dhe Shokët, është e 11’ta rresht, që luhet çdo vit kundër varfërisë, ndërsa këtë radhë synohet të grumbullohen mjete për Filipinet, të cilat po mundohen të rimëkëmben pas tajfunit Haiyan, njëri prej më shkatërruesve në histori të këtij vendi.

Ndeshja do të zhvillohet të martën, më 4 mars në stadiumin kombëtar Stade de Suisse në Bernë, Zvicër, ndërsa ka ende tiketa të pashitura.

“Isha mjaft i lumtur me ftesën që e mora. Kam luajtur si mbrojtës gjatë tërë karrierës sime dhe tash jam i gatshëm t’i mbroj njerëzit e Filipineve në luftën kundër varfërisë”, deklaroi ish mbrojtësi i Milanit, Maldini, i cili do të luajë përkrah Ronaldos dhe Zidane.

Fytyra tjera të njohura do të jenë ato të: Fernando Hierro, Fabio Cannavaro, Robert Pires, Patrick Vieira, Gennaro Gattuso, Pavel Nedved, Christian Vieri e Giovane Elber.

“Është privilegj dhe një sfidë për ta drejtuar një ekip me aq shumë emra të klasit botëror. Ne do të donim që të ketë një prezencë masive të publikut, për të na parë duke luajtur dhe për t’i ndihmuar dhe mbështetur njerëzit e Filipineve”, deklaroi ish trajneri i Chelseat, Ruud Gullit, që do ta udhëheq ekipin e yjeve.

Ekipi i Young Boys do të udhëhiqet nga ish përfaqësuesit zviceranë, Stephane Chapuisat e Hakan Yakin, ndërsa Pierluigi Collina do të jetë gjyqtar.