‘Legjendari’ Bahtiri: Avni Kastrati e ka vendin në burg

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, për herë të parë pas tre muajve është paraqitur në media, ndërsa e ka pranuar edhe vet t’i ketë ikur vazhdimisht mediave.

Lajme

06/10/2014 22:30

Në një intervistë në emisionin “Puls” të KTV-së, ai tha se do të jetë legjendë për 50 vjet, ani pse Komuna të cilën ai e drejton është në terr shkaku i mungesës së ndriçimit publik.

Sipas Bahtirit, ish-kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati e ka vendin në burg. Më tej thotë se familjarët e Kadri Veselit kanë bërë gjëra të pahijshme, kanë zhdukur prona. Thotë se Bajram Rexhepin e ka dërguar vet në gjyq.

Këto janë vetëm disa prej deklaratave të fuqishme që “legjendari” Bahtiri i ka thënë në Puls të KTV-së.

Duke folur për qeverinë e kaluar, Bahtiri tha se Avni Kastrati nuk e ka udhëhequr Komunën me kokën e vet, por “ka qenë kukull”, ndërsa thekson se njerëzit jashtë Mitrovicës e kanë udhëhequr qytetin.

“Sa i përket zgjedhjeve, unë kam garuar me Hashim Thaçin, me Kadri Veselin, me Bajram Rexhepin e jo me Avni Kastratin”, ka shtuar ai.

“Unë kam dërguar disa lëndë në gjyq dhe prokurori për Avni Kastratin dhe Bajram Rexhepin për një kontratë. Bëhet fjalë për ndarjen e një toke një organizate nga Bashkësisë Evropiane e quajtur SPARK, për ndërtimin e dy fakulteteve në veri dhe jug, dhe kjo është bërë në mënyrë të rregullt nga Kuvendi Komunal, por Bajram Rexhepi ia merr tokën kësaj organizate dhe në mënyrë të parregullt ia jep kompanisë Devolli’, pa kaluar nëpër procedura, pra pa kaluar nëpër Kuvendin Komunal dhe është shkelur ligji”.

“Pra, unë e kam dërguar lëndën në gjyq. Avni Kastrati ka dhënë toka publike. P.sh. ETC është në pronë publike. Avni Kastrati duhet të shkojë në burg, por jo vetëm ky. Edhe njerëzit afër tij. Shkelje tjera nga Avniu, për të cilat ai duhet të shkojë në burg, janë edhe subvencionimet deri në 50 mijë euro, ndërsa kryetari e ka të drejtën vetëm deri në 2 mijë euro, e tjerat duhet të shkojnë përmes Kuvendit Komunal”, ka thënë Bahtiri.