Legalë po, legjitimë jo

Analistët vlerësojnë se pjesëmarrja vetëm 22% e votuesve dhe votimi në rrethim policor e bëjnë pushtetin lokal në Veri të ketë minimumin e një standardi demokratik.

Lajme

21/11/2013 12:51

Legalë, por jo aq legjitimë vlerësohet të jenë përfaqësuesit serbë që dolën nga procesi zgjedhor në Veri të Kosovës. Analistë të këtij procesi mendojnë se ekziston një drojë e madhe që pushteti lokal i dalë nga zgjedhjet e 3 nëntorit të mos përcillet me lojalitet të qytetarëve ndaj pushtetit lokal dhe institucioneve të vendit në këtë pjesë.

Analisti Mazllum Baraliu thotë se të zgjedhurit në Veri nuk mund të jenë legjitimë përderisa kanë dalë nga një proces me shumë shkelje ligjore dhe nën masa ushtarake e policore.

“Në çdo pikëpamje nuk është imazhi më i mirë dhe nuk është një proces dhe nuk është proces demokratik thënë më së thjeshti”.

“Do të bëjnë obstruksione më tepër dhe do të jetë shumë vështirë të konvertohen në liderë demokratë”, ka thënë Baraliu për Radio Kosovën.

Por, sipas Driton Selmanajt nga Instituti demokratik i Kosovës, përqindjes së ultë të daljes në votime dhe tërë kompleksitetit të këtij procesi i jep fuqi dhe legjitimitet një element i rëndësishëm.

“Në Kosovë nuk ka ndonjë prag zgjedhor i cili përcakton se cili do të duhej të ishte dalja në votime për ta vlerësuar nëse procesi është legjitim apo jo. Dalja e fundit rreth 22 % nuk është e keqe, dhe prej kësaj mund të derivojnë edhe institucione të pranueshme, të ligjshme”, ka thënë Selmanaj.

Për më tepër, sipas Selmanajt rasti i Mitrovicën së Veriut po tregon që megjithatë qytetarët po shfaqin një kulturë demokratike të zgjedhjes.

“Përkundër atik presion të madh të Serbisë, për të dalë në zgjedhje, qytetarët e asaj pjese shprehen vullnetin e tyre që nuk dëshirojnë të ndikohen nga askush, saqë u tregua një kulturë politike e qytetarëve”, ka thënë Selmanaj.

Edhe Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut mohon kredibilitetin e këtyre zgjedhjeve.