‘Leci kurdis ndeshje’

Futbollisti i FC  Prishtinës, Liridon Leci akuzohet se pranoi të kurdiste ndeshje gjatë kohës sa ishte në Suedi te skuadra e Landskrona BoIS.

Sport

08/10/2014 10:51

Futbollisti i FC  Prishtinës, Liridon Leci akuzohet për kurdisje të ndeshjeve. Atë e ka mashtruar një gazetar i cili i është paraqitur si biznesmen duke i bërë ofertë për të manipuluar një duel në Suedi, ku ai luajti me skuadrën e Landskrona BoIS, dhe krejt bisedën e xhiroi me kamerë.

“Mund të jap një rezultat të kurdisur në ndonjë rast, por mos u bë kinse e ke ditur, a kupton? Ne nga Kosova themi se gjithçka përfundon në dreq të mallkuar nëse rrezikoni para të mëdha në baste. Është rrezik i madh. Kur them se është e rrezikshme, e kam fjalën për futbollistët që tani kanë frikë”, deklaroi Leci, raporton portali serb “Telegraf.rs”.

“Kam dy-tre shokë në klubet tjera dhe ende bisedoj me ta. Ata janë në klube të mëdha. Njëri në të parën e tjetri në ligë të dytë. Kam punuar me ta. Këtë vit njëri ka kryer punën ashtu siç ka premtuar. Liga e parë, jo e dyta. Paramendoje pas 20 minutave të jetë 2:0, e ty të nevojitet 3+”, citohet të ketë thënë Leci për personin që iu paraqit si biznesmen.

Por, kur është pyetur nga gazetarët për rastin në fjalë, Leci ka thënë se bëri shaka pasi e dinte se është duke u xhiruar.

“Nuk është e vërtetë sepse kam bërë shaka. Isha i sigurt se ai kishte kamerë”, u shpreh Leci.