Le t’i bëjmë kufijtë të pavlefshëm

Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë në shumë aspekte. Pos kësaj, thotë Mesila Doda, atyre u duhet të jo vetëm zhvillim por edhe afrim nga ana emocionale, kulturore, ekonomike e politike.

Lajme

31/03/2014 19:53

Kryetarja e forumit “Aleanca e Grave Deputete”, Mesila Doda, duke folur për marrëdhëniet midis dy shteteve Kosovë-Shqipëri, ka vlerësuar në Zona B të KlanKosovës se ka ardhur momenti i bashkimit të tyre në shumë aspekte.

Doda ka thënë se bashkëpunimi midis tyre duhet të përfshijë edhe heqjen e taksave në pikat doganore për të pasur një bashkëpunim ekonomik më të mirëfilltë.

“Është momenti që të dyja anët e kombit duhet të fillojnë dhe të ecin, jo vetëm për t’u zhvilluar por edhe për t’u afruar nga ana emocionale, nga ana kulturore nga ana ekonomike pse jo a nga ana politike”.

“Dy shtete të varfra secili brenda vetes janë akoma më të dobët. Të krijojmë një bashkëpunim më të fortë dhe, këtu kam parasysh programet mësimore të njëllojta, kam parasysh programet ekonomike të cilat synojnë sidomos zonat kufitare të cilat sot duhet të jenë absolutisht të përjashtuar nga taksat doganore”.

“Le t’i bëjmë të pavlefshëm këta kufij sot, le të afrohemi dhe përafrohemi sepse do të jemi më të fuqishëm ne. Është kjo rruga e jonë për t’u bërë të fuqishëm”.

Sipas saj, Kosova qëndron më mirë në numrat e grave që merren me politikë, duke e arritur 30 për qindëshin në Kuvend, kurse Shqipëria ende jo.

“Kosova na ka dhënë një shembull për gratë që merren me politikë, sepse ju e keni arritur 30 për qindëshin në Kuvend ndërsa ne në Shqipëri jo. Neve meritojmë të kemi të njëjtin përfaqësim sepse jemi gjysma e botës, gjysma e kombit, gjysma e shtetit”.