Le Monde shkruan për retorikën luftënxitëse të Serbisë, Thaçi ndaloi trenin propagandues

E përditshmja prestigjioze franceze “Le Monde” shkruan sot se Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka urdhëruar dërgimin e forcave të rendit për ta ndaluar hyrjen e trenit me mesazhe nacionaliste të Serbisë në Kosovë.

Lajme

16/01/2017 19:11

Kjo gazetë citon kreun e shtetit, i cili kishte deklaruar se hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme.

Më tutje, në artikull thuhet se dërgimi i këtij treni me përmbajtje provokative nga ana e Beogradit i ka vënë të dy shtetet “në prag të konfliktit”, transmeton lajmi.net.

Le Monde shkruan se për herë të parë që nga lufta e viteve 1998-1999, e cila rezultoi në pavarësinë e Kosovës, një tren ishte nisur nga Beogradi të shtunën për në qytetin më të madh të pjesës veriore të Kosovës, në Mitrovicë, ku ende banon një pakicë e rëndësishme serbe.

Ky udhëtim, pohon Le Monde, nuk u jetësua.

Serbia, e cila ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008, e kishte veshur trenin me mesazhin “Kosova është Serbi”, dhe atë në 21 gjuhë, si dhe me afreske nga manastiret e Kosovës. Një provokim ky për Prishtinën, raporton e përditshmja franceze.

Gazeta Le Monde veçon deklaratën e presidentit serb, nacionalistit Tomisllav Nikoliq, i cili sërish ka ngritur tonin duke deklaruar se këto dy vende kanë gjetur veten “në prag të konfliktit” dhe se ai është i gatshëm për të dërguar ushtrinë serbe në Kosovë, siç tha ai, nëse është e nevojshme. /Lajmi.net/