LDK thërret Thaçin të raportojë për dialogun me Dacicin

Deputeti Skënder Hyseni e ka quajtur shqetësuese “mungesën e transparencës” ndaj Kuvendit rreth këtij procesi. Sipas tij, ekziston një “terr pothuajse total informativ” rreth rrjedhës dhe përmbajtjes së një varg marrëveshjesh të paralajmëruara.

Lajme

13/02/2014 09:57

Grupi Parlamentar i LDK’së ka kërkuar nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që të raportojë në Kuvend për rrjedhën dhe rezultatet e dialogut me homologun e tij serb, Ivica Dacic në Bruksel.

Deputeti Skënder Hyseni, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, e ka quajtur shqetësuese “mungesën e transparencës” ndaj Kuvendit rreth këtij  procesi. Sipas tij, ekziston një “terr pothuajse total informativ” rreth rrjedhës dhe përmbajtjes së një varg marrëveshjesh të paralajmëruara.

“Në emër të GP të LDK`së kërkojë nga ju që në mbledhjen e parë ta shtroni kërkesën që Kryeministri i Kosovës t`i raportojë Kuvendit mbi rrjedhat e dialogut në Bruksel”.

“LDK`ja nuk shmanget asnjëherë nga parimi se nuk ka zëvendësim për dialogun që të arrihen këto qëllime madhore për një stabilitet përfundimtar në Ballkan”.

Sipas Hysenit, normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë do të ketë vetëm në kohën kur dy shtete do ta njohin njëra tjetrën si shtete të pavarura dhe sovrane.

“LDK`ja e kundërshton dialogun vetëm sa për të bërë dialog”.

“LDK`ja është për një dialog përmbajtësor që do të arrijë një zgjidhje të qëndrueshme që nuk do ta dëmtojnë asnjë variant karakterin unitar të Kosovës”.

“Po flitet së shpejti për marrëveshjet në fushën e gjyqësisë. LDK`ja fton që çfarëdo marrëveshje në këtë fushë ta ruajë totalisht unitaritetin e legjislacionit unitaritetin e jurisprudencës, unitaritetin e gjyqësisë së Kosovës”, ka thënë Skënder Hyseni.