LDK tërheq rezolutën për dialogun – tani kërkon konsensus

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar sot që ta tërheqë Rezolutën për çështjen e Dialogut Kosovë-Serbi, në të cilën parashihej që t’i ndalohet Presidentit që të bisedojë për korrigjim të kufijve.

Lajme

07/11/2018 14:31

Kjo Rezolutë e iniciuar nga LDK dhe e mbështetur nga Vetëvendosje, javën e kaluar kishte dështuar të miratohej, raporton lajmi.net.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit, ka kërkuar të tërhiqet Rezoluta nga rendi i ditës në seancën e sotme.

Kjo tërheqje, siç thuhet, është bërë për t’i lënë mundësi konsensusit mes partive politike parlamentare.

Që nga muaji maj i këtij viti, LDK kishte refuzuar që të bashkëpunoj me partitë e koalicionit qeverisës për temën e dialogut, edhe pse kreu i Kuvendit dhe i PDK-së Kadri Veseli disa herë u kishte bërë thirrje për konsensus.

Pas disa muajsh bllokade në Kuvend për këtë çështje, tani deputetët e LDK-së janë tërhequr nga propozimi i tyre për rezolutë të njëanshme dhe kanë shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit për të arritur konsensus. /Lajmi.net/