LDK: Shpend Ahmeti po shkel ligje të shumta

Këshilltarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në asamblenë komunale të Prishtinës e kanë kritikuar qeverisjen e tremujorit të fundit në kryeqytet, duke thënë se kryetari Shpend Ahmeti po bën lëshime të shumta dhe po shkel shumë ligje.

Lajme

08/04/2014 16:10

Flamur Shala, në emër të këshilltarëve, në një konferencë për medie, e ka kritikuar Ahmetin edhe për punësim të paligjshëm dhe me ngjyrime politike në Komunë, raporton KosovaPress.

“Gjatë këtij tremujori të punës së kryetarit Shpend Ahmeti janë bërë lëshime të shumta dhe shkelje të ligjeve. Ndër të tjera, lëshime dhe shkelje janë edhe ato që kanë të bëjnë me punësimin me kontratë mbi vepër të punëtorëve të Komunës. Prej tyre një numër i madh i aktivistëve politikë të partisë së kryetarit Ahmeti janë pranuar dhe kjo është bërë pa procedura ligjore dhe me motive politike sipas nesh”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se një brengë tjetër e LDK-së është edhe një numër i aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët shihen çdo ditë korridoreve dhe zyrave të objektit të Komunës, e të cilët nuk janë të punësuar në këtë institucion.

“Këtij numri i shtohen edhe aktivistë të Vetëvendosjes të papunësuar, të cilët qëndrojnë në objektin e Komunës dhe pengojnë punën e përditshme të kryetarit. Ahmeti po punon sipas një projekti të partisë së tij, duke angazhuar aktivistë të cilët po i rrinë korridoreve dhe në zyrat e Komunës, po ashtu edhe në zyrë të kryetarit. Për ne është e papranueshme, sepse kryetari i Komunës është kryetar i qytetarëve të Prishtinës dhe nuk është vetëm kryetar ose pjesë e një partie politike”, ka thënë ai, transmeton KosovaPress.

Shala e ka kritikuar Ahmetin dhe qeverisjen e tij edhe për kriteret për punësim në sektorin e arsimit që, sipas tij, i privojnë shumë të rinj dhe të reja nga e drejta e punësimit nëpër vende të ndryshme të punës, pas përfundimeve me kohë të studimeve.

Për shkak të këtyre kritereve dhe stërzgjatjes së konkurseve, sipas Shalës, po humbasin edhe shumë orë të mësimit nëpër shkolla.