LDK: Shpend Ahmeti i kapur nga të mëdhenjtë e VV-së

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, ka kritikuar qeverisjen e kryetarit të komunës, Shpend Ahmeti, siç kanë vlerësuar asamblistët e kësaj partie, për dështim të realizimit të buxhetit të Komunës.

Lajme

26/12/2015 18:23

Sipas LDK-së, suficiti dhe bartja e mbi 20 milionë eurove për vitin 2016 është më shumë se dështim i administrimit të Komunës nga kryetari Shpend Ahmeti. LDK vlerëson se kjo vjen si pasojë e kapjes së kryetarit Ahmeti nga të mëdhenjtë e Lëvizjes Vetëvendosje, pjesë e së cilës është ai.

Sipas komunikatës për media, dështimi në inkasimin e të hyrave, prej mbi 10 milion eurove, është dështimi më i madh i Shpend Ahmetit.

LDK në Prishtinë vlerëson se kryetari Ahmeti është i kapur nga të mëdhenjtë e partive politike, veçmas nga të mëdhenjtë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Dështimi në realizimin e buxhetit të Komunës lidhet me ndërhyrjet politike të vazhdueshme të zyrave politike me sjellje dhe me imponime politike. Shpend Ahmeti doli të jetë njeri i kapur nga të mëdhenj të disa partive politike, sidomos nga të mëdhenjtë e VV”, thuhet në komunikatë.

Sipas Grupit të LDK-së, deklarimet politike të kryetarit Ahmeti nuk ia zvogëlojnë dështimet milionëshe në kryeqytet.

“Milionat e humbura në buxhetin e Prishtinës kanë ndikuar dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e kryeqytetit”, thuhet më tej.

LDK vlerëson se buxheti me 60% të projekteve kapitale, i parealizuar për këtë vit, po e çon Komunën në kolaps.

“Me këtë qasje zhvillimore ndaj kryeqytetit, me koncepte ideologjike të së kaluarës dhe me një kryetar që merret më shumë me Beogradin se sa me Prishtinën, viti 2016 do të jetë viti më i rëndë për kryeqytetin. Sipas këtyre trendeve zhvillimore me suficit kaq të lartë dhe me të hyrat më të ultë në 5 vitet e fundit, çdo gjë mbi zhvillimin ekonomik në Prishtinë mund të jetë në gjendje kolapsi”.