LDK reagon për ndarjen e pronave të AKP-së komunave të veriut

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka reaguar në lidhje me vendimin e Qeverisë për ndarjen e pronave të AKP-së, tri komunave veriore, asaj të Ranillugut, Kllokotit, dhe Mitrovicës së Veriut.

Lajme

15/11/2018 13:18

Sipas LDK-së, këtu përfshihen asete të ndërmarrjeve shoqërore dhe toka bujqësore që duhet të privatizohen, raporton lajmi.net.

“Baza ligjore mbi të cilën merret ky vendim është e paqartë. Ky është një prej gabimeve më të mëdha që bënë kjo Qeveri. Para disa dite, Kryetari i Mitrovicës Veriore deklaroi se nuk do të ketë më privatizim në atë komunë. Me prekjen e infrastrukturës ligjore dhe kushtetuese të procesit të privatizimit të pronave, bëhet shkelje e kushtetutës dhe shtetësisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Në ekonominë e tregut që po ndërton Kosova, është e paqartë se çfarë ju duhen komunave tokat bujqësore dhe ndërmarrjet komerciale që duhet të funksionojnë në sektorin privat me produktivitet dhe efikasitet sipas kushteve të konkurrencës së hapur”

Sipas LDK-së, vendimi në fjalë është diskriminues po aq sa udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë.

“Ky vendim është diskriminues po aq sa udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, me të cilin Qeveria Haradinaj mbulon me grante  90% të investimit të bujqve në komunat në veri të Kosovës, derisa në komunat e tjera me shumicë shqiptare vetëm 50%”, përfundohet në njoftim.

Sipas këtij subjekti askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në punën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura që i raportojnë Kuvendit./Lajmi.net/