LDK pro komunës në Has

Isa Mustafa u ka premtuar hasianëve se do ta mbështesë krijimin e një komune të re. Ai ka thënë se LDK ka një plan të veçantë për zhvillim ekonomik të këtij rajoni.

Lajme

27/10/2013 18:05

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paraqitur një plan të veçantë për zhvillimin e rajonit të Hasit, të dielën.

Në një takim me banorët e Hasit, Mustafa ka përkrahur idenë që ky rajon të ketë një komunë të re.

Ai u ka thënë atyre se LDK dhe kandidati i kësaj partie për Kryetar të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, do t’i ofrojnë Hasit një qeverisje të mirë.

“Zona e Hasit i ka dhënë gjithmonë forcë LDK’së dhe do t’i japë në të ardhmen. Për të qenë të ndërgjegjshëm dhe të dinjitetshëm, ne do t’i ofrojmë Hasit një qeverisje të mirë. Hasi meriton të jetë pjesë e Prizrenit, por Hasi meriton të jetë edhe komunë në vete. Këtë do ta vendosin banorët e Hasit dhe për këtë do ta kenë mbështetjen e plotë të LDK’së dhe të Kryetarit të ardhshëm të Prizrenit, Eqrem Kryeziu”, ka thënë Mustafa.

Kreu i LDK’së u ka bërë thirrje hasianëve që të votojnë Eqrem Kryeziun për Kryetar të Prizrenit në rast se dëshirojnë që të vazhdojë fryma “Rugoviane” e cila, sipas tij, është shumë e fuqishme në këtë rajon.

“Ju keni prijës të mrekullueshëm fetarë me të cilët krenoheni, por edhe ne krenohemi me ta, sepse për 24 vjet, së bashku me banorët e kësaj ane, i kanë qëndruar besnikë LDK’së dhe parimeve të përcaktuara nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, për liri, pavarësi dhe demokraci”.

“Motoja jonë është që ne sivjet t’i fitojmë komunat, duke përfshirë Prizrenin dhe shumicën e komunave tjera, jo pse jemi të etur për pushtet, por qytetarët e Prizrenit e meritojnë qeverisjen e LDK’së dhe ne do të bëjmë çdo gjë që t’ua mundësojmë këtë”.

Pretendenti i kësaj partie për të fituar Prizrenin, Eqrem Kryeziu, tha se banorët e kësaj treve mund të votojnë për LDK’në pasi që Isa Mustafa është njeriu i denjë për vazhdimin e Rugovizmit.

“LDK’së iu deshën disa vite për t’u rimëkëmbur nga vdekje e Presidenti Rugova dhe kjo rimëkëmbje erdhi nga Kryetari aktual i LDK’së, Isa Mustafa, i cili është i domosdoshëm për të qenë Kryeministër i Kosovës”.

“Pushteti aktual i Prizrenit nuk është i dinjitetshëm për qytetarët e tij, për të bëmat e tyre të cilat i dinë të gjithë. Prizreni meriton qeverisjen e LDK’së, me të cilën do të mburren të gjithë qytetarët dhe do të ndiheshim krenarë për vendin e tyre”.