LDK: Presidenti s’ka kompetencë kushtetuese dhe legjitimitet politik për ta udhëhequr dialogun

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur konferencën e rregullt javore në të cilën Avdullah Hoti ka folur për çështjen e dialogut me Serbinë dhe për thellimin e krizës institucionale.

Lajme

06/07/2018 12:33

Sipas Hotit, presidenti i Kosovës, pa asnjë autorizim, ende pa nisur mirë dialogu me Serbinë, i ka hequr të gjitha vijat e kuqe.

“Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, shtetësia e Kosovës ka marrë zgjidhje përfundimtare gjatë Procesit të Vjenës; ka marrë formë me Deklaratën e Pavarësisë dhe ka marrë legjitimitet ndërkombëtar me Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

“Presidenti nuk ka kompetenca kushtetuese dhe legjitimitet politik për të udhëhequr dialogun. Përfaqësuesit e qytetarëve duhet të vendosin vijë të kuqe për Presidentin. LDK-ja me kohë e ka vendosur – Presidenti nuk mund të udhëheqë këtë proces dhe nuk e ka mbështetjen”, tha Hoti.

“Për neve, vijat e kuqe në dialog me Serbinë janë të qarta: integriteti territorial i Republikës së Kosovës,karakteri unitar i shtetit,respektimi i frymës së Kushtetutës të Republikës të Kosovës në marrëveshjen që arrihet. Rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy shteteve, i cili arrihet vetëm me njohje reciproke”, shtoi ai./Lajmi.net/