LDK nuk po kërkon kandidat tjetër për kryeministër

Shefi i Grupit Parlamentarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se nuk janë aspak të vërteta spekulimet në disa media rreth asaj se LDK është duke kërkuar një figurë tjetër si kandidat për kryeministër.

Lajme

17/04/2014 19:03

Ta them troç e shqip, kjo që po thuhet është rrenë, sepse ju e dini që Isa Mustafa ka marrë 99 vota për dhe një kundër, sa për mësysh, nga Këshillit i Përgjithshëm, për të qenë kandidat për kryeministër”, ka thënë Beqiri.

Kreu i Grupit Parlamentar të LDK-së ka komentuar edhe një sondazh të publikuar të enjten në media, ku fituese e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare del të jetë Partia Demokratike e Kosovës, e kryeministrit aktual, Hashim Thaçi.

Beqiri ka thënë se LDK nuk bazohet në sondazhe, por në votat e qytetarëve, dhe së është i sigurt që partia e tij do të dalë fituese e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen deri në fund të këtij viti.   

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Beqiri, i ka bërë këto komente të enjten, në një konferencë për media, ku së bashku me kryetarin e Degës së LDK-së në Ferizaj, Muharrem Sfarqa, njëherësh kryetar i komunës, kanë njoftuar gazetarët me prurjet e reja në këtë parti.