LDK nuk e ndërron kryetarin deri në majin e vitit të ardhshëm

Anëtari i Kryesisë Qendrore të LDK-së njëherësh edhe kryetar i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka treguar për gjendjen brenda LDK-së, në periudhën kur kjo parti gjendet para zgjedhjeve të brendshme.

Lajme

23/05/2018 22:18

Ahmeti,  në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, ka thënë se çështja e zgjedhjeve në LDK, pra edhe e kryetarit është një kapitull i mbyllur deri në maj të vitit të ardhshëm, kur  kjo parti do të zhvillojë procesin e brendshëm zgjedhor.

“Sa i përket garës për kryetar normalisht që çdokush që është në politikë hyn për tu zgjedhur. Unë nuk e kam asnjë ambicie për këtë, sepse mendoj se LDK ka mjaft njerëz të zotë, profesional dhe me integritet moral e nacional të cilët munden me menaxhue dhe me udhëheq me partinë. Tani për tani çështja e zgjedhjes së kryetarit të partisë është kapitull i mbyllur deri në maj të vitit të ardhshëm”, tha Ahmeti.

Ai thotë se shfaqja e ambicieve të njerëzve për të udhëhequr partinë është vlerë për LDK-në.

Ahmeti ka theksuar se kandidatura e Avdullah Hotit për kryeministër të Kosovës nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e kaluara nacionale është vendosur me një konsensus të plotë.

“Edhe Lutfi Hazirit i është thënë se nëse ka gatishmëri për tu kandiduar, por ai nuk ka shprehur interesim. Ndërsa për Hotin ka pasur një koncensus të plotë, kur dihet e kaluara e tij profesionale dhe morale, duke ia shtuar këtu që ka qenë një ministër i sukseshëm”, ka shtuar Ahmeti.