LDK nominon Isa Mustafën për Kryeministër të Kosovës

Këshilli i Përgjithshëm i LDK'së ka nominuar sonte Isa Mustafën si Kandidat për Kryeministër të Kosovës, me 99 vota “për” dhe 1 votë “kundër”. Vota “kundër” ishte e Fatmir Sejdiut. Por, Mustafa tha se për të është e rëndësishme vota e anëtarësisë së gjerë.

Lajme

10/02/2014 18:26

Isa Mustafa është nominuar për Kryeministër të Kosovës, për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nga partia e tij Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur sonte që Isa Mustafa të jetë Kandidat për Kryeministër, me 99 vota “për” dhe 1 votë “kundër”.

Vota “kundër” ishte e Fatmir Sejdiut, i cili e deklaroi hapur vetë atë.

Pas përfundimit të punimeve, Isa Mustafa e quajti këtë si një mbledhje të rëndësishme për çështjet që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, si dhe për orientimet themelore për zgjedhjet e përgjithshme.

“Kërkuam që LDK të mobilizohet, që të punojmë të gjithë bashkërisht në të gjitha degët, të punojmë edhe me anëtarësinë, por edhe me qytetarët, në mënyrë që të bëjmë ofertën tonë për qeverisjen e ardhshme”.

Mustafa ka folur edhe për votën “kundër” të Fatmir Sejdiut.

“Është me rëndësi që ta kem votën e anëtarësisë të gjerë të LDK`së. Do të ishte absurde që të pres që të kem votën e çdonjërit, sepse kjo është demokraci dhe njerëzit mund të kenë mendimet e tyre dhe qasjet e tyre. Unë besoj në votën e anëtarësisë së gjerë dhe të qytetarëve”.

Lideri i LDK’së ka pohuar se partia e tij është për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta.

“Ne jemi për atë që zgjedhjet të jenë të rregullta dhe të preferojmë që të kemi zgjedhje të rregullta. Mirëpo, nuk do të dëshironim që të ngecë puna e Kuvendit të Republikës së Kosovës për arsye të shumicës së brishtë tani”.

“Nen nuk kemi shumicë të qëndrueshme të koalicionit qeveritar dhe kjo pastaj e pamundëson që ky Kuvend të punojë më tutje”.

“Për neve do të ishte e dëshirueshme që në pjesën e parë të këtij viti të kemi zgjedhje të përgjithshme, por  këto zgjedhje të bëhen me pajtimin tonë të përgjithshëm dhe të jenë zgjedhje të rregullta sesa të futemi në një proces të zgjedhjeve të jashtëzakonshme ose të parakohshme”.

VIDEO: