LDK mund të rritet vetëm nëse pastrohet nga pleqtë

Naser Rugova, i cili vjen nga trungu familjarë i ish presidentit Ibrahim Rugova, vlerëson se Lidhja Demokratike e Kosovës duhet të largojë njerëzit e vjetër nëse do që ta rris elektoratin. 

Lajme

13/06/2014 22:52

Gjithë këtë Rugova e bazon në rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 8 qershorit, që thotë se “elektorati i LDK-së ka votuar në favor të gjeneratës së re të politikanëve brenda LDK-së dhe se i ka dënuar ata që me vite të tëra kanë përfituar në kurriz të zemërgjerësisë dhe pastërtisë së elektoratit të madh rugovian”. 

Sipas Rugovës, ky rezultat është dëshmi e domosdoshmërisë së reformave dhe ndryshimeve përmbajtjesore. 

Rugova pyet se si do të ishte rezultati i zgjedhjeve me 8 Qershor sikur Kryesia e LDK-së të kishte reflektuar me kohë në lidhje me këtë çështje. 

Ai ka propozuar që tash e pas, duhet të mendohet për këtë gjë. 

“Gjithnjë e kam thënë se nuk jam ithtar i largimit të njerëzve, sepse LDK ka nevojë për të gjithë, por ky është çasti i fundit që ta gjejmë një formulë gjithëpërfshirëse, që do ta ri-mobilizonte elektoratin tonë të shkapërderdhur nëpër shumë parti të tjera”, ka shkruar në rrjetin social facebook, Naser Rugova. 

Ndërsa sipas të njëjtit, reformat nuk kanë alternativë, sepse LDK është parti lokomotivë dhe jo vagon i dikujt tjetër.