LDK mban tryezën e fundit të partive politike, diskutohet për zgjedhjet

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), së shpejti do të mbajë tryezën e radhës dhe të fundit për të përmbyllur ciklin e diskutimeve në mes të subjekteve politike në vend.

Lajme

26/06/2018 18:18

Kështu bëri të ditur, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti. Hoti tha se së shpejti do të organizojnë tryezën, mirëpo nuk përmendi datë.

“Ne së shpejti do të organizojmë tryezën e fundit për të përmbyllur këtë cikël të diskutimeve në mes të subjekteve politike”, ka thënë Hoti.

Ai po ashtu theksoi se nuk ka nevojë të vazhdohet tutje me tryeza të partive politike.

Hoti gjithashtu tregoi se tema në këtë tryezë të fundit për partitë politike do të jetë përmbyllja e diskutimit të hapur në tryezën e parë, nga LDK-ja.

“Nuk ka nevojë të vazhdohet me tutje. Tema do të jetë përmbyllja e diskutimit të hapur në tryezën e parë që ka qenë: Caktimi i zgjedhjeve të reja për të nxjerrë vendin nga kriza institucionale në të cilën gjendet dhe dakordimi për reformat dhe veprimet që duhet të ndodhin në ndërkohë deri në ditën e zgjedhjeve në mënyrë që të mos mbetemi prapa me procese euro integruese si dhe të përgatisim një proces të mirë zgjedhor”, tha ndër të tjera Hoti për Telegrafin.

Ndërkaq, tryezat e partive politike ishin thirrur fillimisht nga LDK-ja, pastaj PDK, Vetëvendosje dhe PSD.

Ndryshe, tryeza të tilla janë organizuar me qëllimin që të arrihen konsensusi nacional për tema të mëdha siç janë: dialogun me Serbinë, transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës si dhe Asociacionit të komunave serbe.

Por analistët dhe shoqëria civile këto tryeza i kanë vlerësuar pa efekt edhe blerje kohe e jo shumë produktive që do të jenë në dobi të qytetarëve të Kosovës.