LDK kundër zgjedhjes së Thaçit president me votë të drejtpërdrejtë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të PDK-së dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, i cili sot ka thënë se Hashim Thaçi do të zgjidhet president i vendit në zgjedhje të drejtpërdrejta nga vota e popullit.

Lajme

16/05/2015 17:12

Rugova duke komentuar deklaratën e Vesleit, është shprehur se LDK është mësuar që PDK mos t’i respektoj marrëveshjet.

Ai në një prononcim për gazetën Tribuna ka thënë se nëse nuk zbatohet marrëveshja politike mes LDK-së dhe PDK-së, atëherë edhe partia e tij do të dal me kandidatin e saj për president.

“Ne gjithmonë kemi kërkuar qe presidenti të zgjidhet nga votat e qytetarëve, unë jam pro asaj. Mirëpo, ne kemi një marrëveshje politike mes dy partive. LDK është pajtuar qe presidenti në mandatin e ardhshëm të jetë Hashim Thaçi”.

“Nëse ndërrohet Kushtetuta dhe presidenti zgjidhet me vota të qytetarëve atëherë nuk jam i sigurt, por mund të ketë edhe kandidat nga LDK për president dhe kjo e drejtë nuk na mohohet”, ka thënë Rugova.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në Kuvendin e IV të gruas demokratike  të shtunën, ka deklaruar se lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, do të zgjidhet president dhe atë drejtpërdrejt më vota të qytetarëve.