LDK kujton Enver Malokun

Nënkryetari i LDK’së, Sabri Hamiti e quajti Enver malokun si një nga qëndrestarët më të mëdhenj të LDK’së dhe të strukturave politike nacionale që kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës

Lajme

11/01/2014 13:40

Me rastin e 15 vjetorit të vrasjes së publicistit të shquar dhe veprimtarit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Enver Maloku, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka bërë homazhe pranë përmendores kushtuar atij, në lagjen “Kodra e Diellit” të Prishtinës.

Nënkryetari i LDK’së, Sabri Hamiti e quajti Enver malokun si “një nga qëndrestarët më të mëdhenj të LDK’së”.

“Enver Maloku është një nga qëndrestarët më të mëdhenj të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të strukturave politike nacionale që kanë punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Më në fund, ai është dëshmor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai me shkrimet e tij, veçanërisht në vjeshtën e vitit 1998, që ai e quante viti i luftës, dhe në fillimit të vitit 1999, që ai vetë e quajti vit i lirisë, ka dhënë dëshmitë më të forta për zhvillimet në Prishtinë dhe Kosovë, dhe këto dëshmi i ka bërë të përbotshme nëpërmes botimeve të gazetës “Informatori” dhe të QIK-ut, edhe në gjuhë botërore”.

“Është dëshmitari më autentik i ndodhjeve. Është tragjike shkuarja e tij, por kjo e ka një logjikë të tragjedisë së njeriut që punon për vendin e vet deri në pikën e fundit. Ai ka interpretuar ndodhitë dhe ka dhënë të dhënat, që është niveli më i lartë i komunikimit, dhe ka interpretuar politikën që ka aplikuar Ibrahim Rugova. Ka shkruar dhe ka punuar në gjendje lufte me gjoksin hapur dhe ballin hapur. Kjo ka të bëjë me fatumin e tij”, tha Hamiti në këtë ceremoni përkujtimi.