LDK kritikohet ashpër për mospjesëmarrjen në varrimin e Adem Demaçit

Me ceremoni e nderime të larta shtetërore u varros sot veprimtari i çështjes kombëtare, njëherit edhe ish i burgosur politik nga regjimi i ish-Jugosllavisë, Adem Demaçi.

Lajme

28/07/2018 18:00

Figura të shquara politike nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia morën pjesë në varrimin e Demaçit, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, për arsye ende të pa sqaruara, Lidhja Demokratike e Kosovës e bojkotoi tërësisht ceremoninë e varrimit të Adem Demaçit.

Ky veprim i LDK-së, ka ngjallur reagime të mëdha në opinion.

Analisti politik, Astrit Gashi përmes Facebookut ka shkruar se veprimi i sotëm i LDK-së nuk i ngjan aspak atij se si do të vepronte ish-presidenti, Ibrahim Rugova.

“Jam i sigurt qe po te ishte gjalle Ibrahim Rugova jo vetem qe do te merrte pjese ne varrimin e Adem Demaçit, por edhe do ta organizonte ate.
Ibrahim Rugova nuk ka qene primitiv, perkundrazi per kohen e tij ai ishte pakica moderne e shoqerise qe bashkjetonte me te kunderten e me kritiken. Ata qe i mbajne tash partine duket se nuk jane si ai- dhe kete nuk po deshtojne per te na e deshmuar ne secilin moment”, ka shkruar Gashi në Facebook.

E përmes një shkrimi në Facebook, LDK-në e ka kritikuar edhe analisti tjetër, Imer Mushkolaj.

Ai ka thënë se mospjesëmarrja e zyrtarëve të LDK-së në varrimin e Demaçit, nuk e zvogëlon figurën e këtij të fundit.

“Mospjesëmarrja e zyrtarëve të LDK’së në ceremoninë e varrimit nuk e zvogëlon figurën e Adem Demaçit. Veç kallxon sa t’vegjël janë ata”, ka shkruar Mushkolaj.

I ashpër në kritika me veprimin e LDK-së është shfaqur edhe analisti tjetër, Artan Muhaxheri, i cili veprimin e këtij subjekti e ka quajtur të turpshëm.

Ai ka shtuar se Demaçi, më së shumti duhet të respektohet për vitet që i ka kaluar nëpër burgje.

“Nëse LDK-ja e bojkoton ceremoninë e varrimit të Adem Demaçit do të ishte e turpshme, sepse ai duhet të respektohet për vitet e burgut. Ky subjekt politik mund të mos pajtohet me deklaratat e tij pas viteve të 90-ta, por ato kanë qenë zgjedhje e tij. Por secili qytetar i vendit duhet të ketë respekt për vitet e burgut, për jetën e sakrifikuar në shërbim të kombit nga ai. Deklaratat politike janë diçka tjetër. Edhe Ibrahim Rugova ka pasur deklarata politike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në varrimin e tij kanë marrë pjesë të gjithë”, është shprehur Muhaxheri.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një qëndrim nga dikush prej zyrtarëve të lartë të LDK-së, mirëpo të njëjtit nuk kanë qenë të gatshëm japin arsyet e tyre për veprimin në fjalë.

I vetmi që ka folur për një çështje të tillë, ishte deputeti i këtij subjekti, Naser Osmani.

Ai për lajmi.net tha se nuk është në dijeni se pse është vepruar kështu nga zyrtarët e lartë të LDK-së, mirëpo tha se individualisht, ka pasur anëtarë të këtij subjekti që morën pjesë në varrimin e Demaçit.

Adem Demaçi vdiq të enjten pas një sëmundje të rëndë.

Ai u varros sot në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë /Lajmi.net/