LDK-ja vija të kuqe për PAN-in, e hapur për LVV-në

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit doli humbëse edhe pse ishte në koalicion me tri parti, ka ndarë mendje sa i përket një koalicioni të mundshëm me PAN-in. Kryesia e LDK-së shprehet e bindur se në asnjë mënyrë nuk do bashkëpunojë më me PDK-në.

Lajme

14/06/2017 09:21

Në anën tjetër, kjo parti dhe deputetët e koalicionit PAN morën një ftesë publike nga kandidati për kryeministër i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti, për bashkëqeverisje, thirrjen e së cilës LDK-ja nuk e vendos larg mendjes duke siguruar se do ta shqyrtojë ofertën që LVV-ja do ia ofrojë, pastaj të vendosë.

Ndërkohë, analistët në vend pavarësisht qëndrimit të LDK-së për vija të kuqe me PAN-in besojnë se një koalicion LDK-PAN është i mundshëm. Kurse politologët theksojnë se në këto momente kritike për vendimmarrje ai që ka një rol të rëndësishëm është presidenti Hashim Thaçi, shkruan Zëri.

Kandidati i lëvizjes “Vetëvendosje” për kryeministër, Albin Kurti, i ka bërë thirrje koalicionit LDK- AKR-Alternativa e deputetëve të PAN-it për ta udhëhequr qeverisjen e ardhshme, e cila do të drejtohet nga LVV-ja.

“Ne sot ftojmë të gjitha subjektet politike të koalicionit LDK-AKR- Alternativa, si dhe të gjithë ata deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma që janë kundër zhvillimit të regjimit të vjetër, pra kundër pushtetit të klanit ‘Pronto’ të na bashkohen në tryezë për të diskutuar për situatën politike pas këtyre zgjedhjeve, si dhe për programin politik në qeveri të drejtuar nga LVV-ja”, ka thënë Kurti