LDK-ja do potenciale të reja në Qeveri

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës sot mbajti mbledhje ku u diskutua çështja e demarkacionit me Malin e Zi, si dhe riformatimi i Qeverisë.

Lajme

12/07/2016 22:15

Për demarkacionin, organi më i lartë i LDK-së i udhëhequr nga kryetari, njëherit kryeministri Isa Mustafa, është pajtuar se duhet të ratifikohet në Kuvend, ndërkaq për riformatim është mbetur të diskutohet sërish, shkruan lajmi.net

Sipas njoftimit, kryesia e LDK-së do që Qeveria e Kosovës të rifreskohet me potenciale të reja, të cilat do të fuqizonin edhe më tutje reformat.

“Gjatë takimit, u bisedua edhe për procesin e riformatimit të kabinetit qeveritar të Kosovës, me ç’rast ka dominuar mendimi se kabineti qeveritar mund të fuzionohet dhe të fuqizohet me potenciale të reja, të cilat do të fuqizonin edhe më tutje procesin e reformave që po zhvillohen nga Qeveria e Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Tashmë kjo çështje ka mbetur të diskutohet sërish ku edhe do të propozohen emra konkret.

Njoftimi i plotë i LDK-së:

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt, të udhëhequr nga kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.

Gjatë takimit, u bisedua për proceset aktuale në vend dhe për orientimet e LDK-në në zhvillimin e mëtejmë të vendit. Anëtarët e Kryesisë, biseduan për çështjen e shënjimit të kufirit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas diskutimeve shterruese, anëtarët e Kryesisë së LDK-së, njëzëri u pajtuan që duke u bazuar në punën e komisionit shtetëror, vlerësimin e komisionit ndërkombëtar të krijuar nga ish-Presidentja Jahjaga, si dhe qëndrimin e Presidentit Amerikan Barack Obama, të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe mesazheve të qarta të ndihmës sekretares amerikane Victoria Nuland e personaliteteve të tjera evropiane, duhet të vazhdohet me ratifikimin në Kuvend të kësaj marrëveshje, e cila do t’i hap rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së dhe proceseve tjera integruese dhe zhvillimore.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për procesin e riformatimit të kabinetit qeveritar të Kosovës, me ç’rast ka dominuar mendimi se kabineti qeveritar mund të fuzionohet dhe të fuqizohet me potenciale të reja, të cilat do të fuqizonin edhe më tutje procesin e reformave që po zhvillohen nga Qeveria e Kosovës.

Anëtarët Kryesisë së LDK-së u pajtuan që në mbledhjen e radhës të vijnë me propozime konkrete në këtë drejtim, të cilat do të diskutohen me partnerët e koalicionit me qëllim të fuqizimit të këtij procesi.

Temë tjetër e takimit ishin edhe çështjet që lidhen me buxhetin e Republikës së Kosovës dhe nevojën e adresimit të disa çështjeve të rëndësishme në këtë drejtim.