LDK-ja nuk formon qeveri me PDK-në

Nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija, e ka akuzuar PDK-në për bllokimin e formimit të institucioneve të reja. 

Lajme

13/08/2014 09:14

Ajo ka thënë se Gjykata Kushtetuese i ka dërguar në “pushim të dhunshëm” 120 deputetë dhe sipas saj, kjo gjykatë do të duhej sa më shpejt ta lirojë Kuvendin të funksionojë dhe ta formojë Qeverinë.

Sahatqija në një intervistë për “Epoka e re”, ka përjashtuar çdo mundësi për bashkëqeverisje me PDK-në, duke u shprehur e bindur se institucionet e reja do t’i formojë koalicioni paszgjedhor LDK-AAK e Nisma.

Ajo ka deklaruar se ky koalicion e ka shumicën e votave në Kuvend, dhe se për çdo ditë është duke u forcuar.

“Ajo që po e bllokon formimin e institucioneve nuk është formimi i koalicionit LDK-AAK-Nisma, por është PDK-ja me ankesën e saj dhe Gjykata Kushtetuese e cila dërgoi në ‘pushim të dhunshëm’ 120 përfaqësues të zgjedhur të popullit dhe e bllokoi vullnetin e popullit”, tha ajo.

Në këtë drejtim ajo ka thënë se Gjykata Kushteteuse do të duhej që sa më shpejt ta lirojë Kuvendin të funksionojë dhe ta formojë qeverinë.