LDK-ja nuk beson në zgjidhjen e ngërçit politik pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve

Ngërçi politik në të cilin është Kosova tash e katër muaj është karakterizuar me mosndërhyrjen e faktorit ndërkombëtarë.

Lajme

06/10/2014 09:42

Deklaratat e ambasadorëve të Quint-it, se kjo situatë politike duhet të zgjidhet nga vet elita politike kanë qenë të shpeshta. Por, duket se vet partitë politike, kanë filluar të kuptojnë se vet nuk po mund të gjejnë zgjidhje.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, partia e të cilit është në koalicion me Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nismën, thotë për “Zëri”, se ashtu siç po rrjedhin gjërat, ndërhyrja e ndërkombëtarëve për të dalë nga ngërçi duket një fakt i paevitueshëm.

“Se si po shkojnë rrjedhat mendoj se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtarë do të ishte e rëndësishme, në mënyrë që të mos vije puna që Kosova të mbetet si storie e dështimit, për shkak se nuk po arrijnë t’i krijojë institucionet”.

Por, homologu i tij nga PDK-ja, Enver Hoxhaj mendon se adresa e vetme për të gjetur një zgjidhje, janë takimet te presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

“Dialogu i filluar nga presidentja e vendit janë e vetmja adresë, e cila pa dyshim që mund të ndikojë në tejkalimin e ngërcit politik. Ne jemi shtet sovran dhe i pavarur dhe presidentja është autoriteti ë i lartë që në situatë të tillë mund të ndërmjetësojë dhe të ndihmojë në tejkalimin e situatës”.

“I vetmi institucion që mund të kontribuojë për tejkalimin e situatës konsideroj se është presidentja. Ajo deri më tani ka luajtur një rol të madh në gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e ngërçit, por presim që gjatë ditëve të ardhshme do të gjendet një zgjidhje, e cila ia mundëson vendit krijimin e institucioneve”.

Ndërkaq, këshilltari i liderit të AAK-së, Avni Arifi thotë se duhet vet elita politike kosovare të gjejë zgjidhje dhe të krijojë institucionet.

“Askush nuk mund të vendosë për ne. Ndihma apo lehtësimi i bashkësisë ndërkombëtare gjithmonë në çdo fazë për Kosovën ka qenë i mirëseardhur, por këtë problem mund ta zgjidhim vetë dhe kosovarët duhet të mësohen që t’i zgjidhin problemet e veta”, ka thënë ai, shkruan sot Zëri.