LDK-ja kritikon Qeverinë për moskrijimin e kushteve për shkollim dhe punësim për të rinjtë

Forumi i Rinisë së LDK-së ka mbajtur konferencë me temën “(Pa)siguria sociale dhe ekonomike e të rinjve në Kosovë”, në të cilin është diskutuar për sfidat e të rinjve në arsim dhe treg të punës.

Lajme

10/12/2018 12:00

Fidan Rekaliu, kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së, ka përmendur rezolutën e LDK-së të dërguar në kuvend për gjendjen e të rinjve të Kosovës për dëshirën e tyre për të dalë jashtë vendit, mirëpo sipas tij kjo është lënë pas dore nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria nuk e ka marrë seriozisht këtë edhe pse ata vetë flasin për politika mbështetëse, afirmative për rininë. Nuk jemi të kënaqur me shkallën e zbatimit të rezolutës edhe në të ardhmen do bëjmë presion që të zbatohet. Sot jemi në gjendje të zhgënjimit që ekziston tek të rinjtë dhe ne do mundohemi të mobilizojmë nevojën e të rinjve dhe besojmë se mund të ketë ngritje sociale dhe ekonomike”, tha ai.

Agim Veliu, nënkryetar i LDK-së, u është drejtuar të rinjve me disa pyetje mbi rolin e tyre në shoqëri, teksa ka fajësuar Qeverinë për mos krijimin e kushteve për të rinjtë që të studiojnë dhe punojnë në Kosovë.

“Nuk po pyes cili është kontributi juaj sepse do nënkuptonte se ju patjetër do duhej të jepnit një kontribut për shoqërinë. Përgjegjësia kryesore që keni në jetë është në radhë të parë vetja juaj prandaj duhet ta pyesni veten çfarë do bëni me jetën tuaj në kuptim të shkollimit, karrierës, familjes etj”, tha Veliu, raporton EO.

Ai tha se Qeveria po krijon vende pune në institucione vetëm për militantë e vet dhe jo për të rinjtë.