LDK-ja do të duhej ta kishte postin e kryeministrit dhe jo AAK

Deputeti i ardhshëm i LDK-së, Arben Gashi përsëri ka shprehur mendimin e tij kundër koalicionit në mes të partisë së tij, AAK-së dhe Nismës për Kosovën.

Lajme

11/07/2014 00:54

Gjatë bisedës në Interaktiv të KTV-së, Gashi ndonëse nuk e ka thënë decidivisht se ai do të votojë kundër këtij koalicioni në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ka thënë se ai mendon që në bazë të peshës zgjedhore, LDK-së do të duhej t’i takonte posti i kryeministrit.

“Unë personalisht nuk jam i kënaqur me rezultatin zgjedhor dhe nuk jam i kënaqur me koalicion sepse unë mendoj se LDK duhet të qeverisë me vendin”.

“Ka qenë joproporcionale me forcën reale politike, ku kemi LDK-në që është forca më e madhe opozitare, dhe kemi AAK-në, që është e treta”.

“Unë do ta përkrah nëse Mustafa kandidon për kreun e Kuvendit, por bindja ime është se Mustafa mund t’i ofronte më shumë Kosovës duke qenë kryeministër”.

Megjithatë, Arben Gashi mendon se Këshilli i Përgjithshëm do të votoj pro koalicionit opozitar, por ai sërish thotë se Isa Mustafa do të duhej të ishte kryeministër.

“Besoj që Këshilli i Përgjithshëm do të thotë po. Unë mendoj se LDK është dashur që të bëjë një zgjidhje pragmatike,e  që është ndalimi i mundësisë që PDK të formojë qeverinë e ardhshme dhe kjo ka ndodhur”.

“ Unë prapë jam i mendimit që LDK meriton ta qeverisë Kosovën dhe të respektohet vendimi i Këshillit të Përgjithshëm i cili e ka nominuar Isa Mustafën për kryeministër”, ka thënë Gashi për KTV.