LDK është rritur

Isa Mustafa deklaron se LDK është rritur për 50 mijë vota. Në balotazh me Shpend Ahmetin për Kryetar të Prishtinës, ai thotë se e pret me bindje fitoren.

Lajme

06/11/2013 13:47

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh vetën si forcën kryesore politike në vend.

Tri ditë pas zgjedhjeve lokale, Kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, në një konferencë për media ka falënderuar të gjithë qytetarët e Kosovës për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj partie në zgjedhjet e 3 nëntorit,.

“Mbështetja juaj e riktheu LDK’në si forcë kryesore politike në vend”.

“Mbështetja e fuqishme që iu dha LDK’së anembanë Kosovës, na jep forcë që ta vazhdojmë punën e madhe që kemi bërë së bashku me ju, qytetarë të nderuar, dhe na inkurajon që të vazhdojmë me vendosmëri garën e mëtutjeshme për ta konfirmuar fitoren edhe në rrethin e dytë, në mënyrë që t’i zbatojmë programet dhe projektet që i kemi hartuar së bashku me ju”.

“Një numërim prej 98 për qind të votave kumulative të kryetarëve të komunave, tregon një rritje prej 50 345 vota në krahasim me vitin 2009 (rritje prej rreth 30 për qind, dhe një rritje prej 56 634 vota në krahasim me zgjedhjet e vitit 2010”.

“Para së gjithash, kjo rritje është meritë e qytetarëve të Kosovës, të cilët treguan besim për programet e kandidatëve tanë, dhe ne ju sigurojmë që këto programe do të zbatohen ashtu siç janë premtuar”.

“Rritja e LDK’së është e konsiderueshme edhe në asambletë komunale, nëse krahasohet me vitin 2009, sepse kemi një rritje prej rreth 21 mijë votash ( 174 872 vota në 2013, në krahasim me 153 813 në vitin 2009). Pra në asamble komunale kemi një rritje prej 14 për qind”

Mustafa tha e numërimi i votave për asambletë komunale po vazhdon dhe LDK, sipas tij, pret rritje edhe më të madhe të votës.

“Kjo rritje e LDK’së prej mbi 50 000 votash, përderisa të gjitha partitë e tjera kanë rënie të konsiderueshme të votës, dëshmon fuqinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshmon ripërtëritjen e saj të vazhdueshme, rezultat i së cilës, pashmangshëm, do të jetë fitorja në zgjedhjet e ardhshme nacionale”.

Isa Mustafa,  i cili do të përballet në balotazh me Shpend Ahmetin për Kryetar të Prishtinës, në një garë që konsiderohet se do të jetë jashtëzakonisht e fortë, ka ftuar të gjithë qytetarët e vendit që të vazhdojnë të tregojnë kulturë politike dhe të marrin pjesë masivisht në rrethin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet më 1 dhjetor.

“Ne presim që edhe në raundin e dytë, të rikonfirmohet vullneti i qytetarëve të Kosovës për fitoren e LDK’së në shumicën e komunave”.

Isa Mustafa foli edhe për përballjen e tij, në raundin e dytë, me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes.

Megjithëse nuk ka arritur të fitojë në raundin e parë, ashtu siç kishte pritur, Mustafa prapë rezultatin e 3 nëntorit e konsideron  fitore të madhe për të dhe partinë e tij.

“Në Prishtinë kemi një fitore shumë të madhe sepse në një konkurrencë me 9 kandidatë për Kryetar të Komunës, ne jemi diku 9 mijë vota para kandidatit i cili tashmë është në balotazh me mua”.

“Ne këtë rezultat e marrim si vullnet të qytetarëve, në mënyrë që demokracia në Prishtinë të jetë një demokraci e mirëfilltë”.

“Ky rezultat nuk na brengosë fare. Ne do të punojmë, do të kontaktojmë me çdo qytetarë me çdo lagje dhe do të bashkërendisim punët tona deri në përfundim të balotazhit”.

Sa i përket koalicioneve të mundshme të LDK me partitë tjera për raundin e balotazhit, Isa Mustafa tha se për këtë do të mblidhet dhe do të vendosë Kryesia e Partisë.

Sa i përket garës në Prishtinë, Mustafa thotë se përkrahjen kryesore e pret nga qytetarët.

“Ne presim mbështetje të subjekteve politike të cilat tanimë nuk janë në balotazh. Presim, para se gjithash, mbështetje të qytetarëve”.

“Nuk dëshiroj të specifikoj, mirëpo ne kemi disa parti me të cilat kemi një afërsi shumë të madhe programore. Me këtë rast unë ju referohem qytetarëve dhe jo subjekteve politike”.