LDK e PDK presin koordinimin për ta votuar demarkacionin, pas qëndrimit pro të Listës Serbe

Pas vendimit për rikthim në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe është shprehur e gatshme ta votojë demarkacionit, nëse arrihet koncensues mes partnerëve të koalicionit.

Lajme

27/03/2017 15:09

Këto deklarata nga kreu i Listës Serbe, Slavko Simiq duket se janë mirëpritur edhe nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Në një përgjigje për lajmi.net, zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj ka thënë se deklaratat e Listës Serbe për votimin e demarkacionit janë të mirëseardhura.

“Është i mirëseardhur deklarimi i Listës Serbe në dy pista: ata po  kthehen dhe po theksojnë se janë të gatshëm ta votojnë demarkacionin”, ka thënë Gecaj.

Kurse për kohën e dërgimit të ligjit për demarkacion në Kuvendin e Kosovës, Gecaj ka thënë se tani duhet koordinim ndërmjet partnerëve të koalicionit.

“Tani mbetet tek partnerët e koalicionit të koordinohen për kohën më të përshtatshme kur do të duhej që marrëveshja të dërgohet në Kuvend”, u shpreh Bajram Gecaj për lajmi.net

Kryesia e Kuvendit sot mbajti mbledhjen e radhës, por ku nuk u fol në lidhje me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Ky ligj nuk ka gjetur përkrahjen e disa deputetëve të pozitës, qoftë nga PDK-ja qoftë nga LDK-ja. /Lajmi.net/