LDK e ndarë mes Berishës dhe Rugovës

Rugovizmi si mënyrë të menduari dhe të vepruari, nuk ka asnjë lidhje me Berishizmin. Vetë LDK brenda saj është e ndarë mes Berishës dhe Rugovës dhe jo mes Ramës dhe Berishës.

Opinion

13/09/2013 22:27

Po marr shkas nga incidenti i sajuar në Kuvendin e Kosovës, të mbroj LDK-në dhe historinë e saj me Rugovën. Deputeti kryesor që bojkotoi seancën, duke bërë deklaratë kundër Ramës, është shtetas i Shqipërisë, me një vëlla ambasador të Berishës. Është lidhje e ngushtë e Familjes Berisha dhe vëllai i tij dhe pak më thellë në shërbimin e tij informativ. Nuk e them këtë si një krim, por si një fakt që nuk ka të bëjë me historinë e LDK-së dhe Rugovës, por me historinë e Berishës kundër Ramës. Dy- tre të tjerë që kanë shkuar pas tij, janë po ashtu lidhje të shkurtra të Berishës me LDK. Të vetmit që e kanë bojkotuar me koshiencë nacionaliste parlamentin janë deputet e Vetëvendosjes, të cilët refuzojnë në të drejtën e tyre politike çdo mik të kundërshtarit të tyre politik në Kosovë.

Ajo që dua të shpjegoj në këtë histori është se Rugovizmi si mënyrë të menduari dhe të vepruari, nuk ka asnjë lidhje me Berishizmin, dhe vetë LDK brenda saj është e ndarë mes Berishës dhe Rugovës dhe jo mes Ramës dhe Berishës.

Është pak e vështirë t’u shpjegosh lexuesve të Shqipërisë për Rugovën, dhe akoma më e vështirë t’u shpjegosh lexuesve të Kosovës për Berishën, faktin që Berisha me Rugovën ishin dy udhëheqës politikë që nuk u pajtuan kurrë me njëri- tjetrin. Ata që i njohën nga afër të dy, e njohin mirë këtë histori. Më mirë nga të gjithë, natyrisht që e njohin udhëheqësit tradicionalë të LDK, ata që dhe u ndeshën me përpjekjen e Berishës për paternalizëm ndaj klasës politike në Kosovë.

Fërkimet e para të hapura mes Berishës dhe Rugovës u shfaqën në vitin 1994, pas përdorimit që Berisha i bëri Rugovës për referendumin e Kushtetutës duke përdorur qëndrimin e tij transit në Tiranë. Raportet personale mes tyre kanë qenë gjithnjë në një nivel kortezie, pa afrimitet miqsh dhe shumë protokollare. Rugova e përdorte Tiranën si një vend transit nga ku nisej për Perëndim, dhe vilën e Enver Hoxhës si një hotel ku rrinte me miqtë e tij të pakët në Tiranë ose bashkëpunëtorë të tij po këtu.

Pas referendumit për Kushtetutën, ai nisi një serë takimesh me opozitën shqiptare, ku u takua me socialistët, Aleancën Demokratike dhe socialdemokratët e Gjinushit, çka Berishës i tingëlloi si karshillëk. Pas kësaj, dhe pas disa fërkimeve për indiferencën me të cilën Rugova priste këshillat e tij për raportet me diplomacinë botërore, ata thuajse humbën raportet personale. Në vargun e gjatë të konflikteve hynin dhe përfaqësuesit e Kosovës në Tiranë, përpjekja e Berishës për të diktuar shefat e zyrës, raportet me SHIK-un e Gazidedes, etj.

Marrëdhëniet u acaruan ndjeshëm në vitin 1996, kur Berisha hasi në një indiferencë të plotë të Rugovës ndaj këshillave të tij për radikalizim të situatës në Kosovë, me qëllim që të tërhiqej vëmendja nga kriza e zgjedhjeve në Shqipëri. Ata thuajse ndërprenë komunikimin.

Në një prej këtyre qëndrimeve të Rugovës në Tiranë, i ngarkuar nga Zëri i Amerikës, shkova ta takoja tek Vila 31 për t’i marrë një reagim ndaj konfliktit që po ngjizej me Tiranën. Ndërsa po hyja në vilë, Bashkim Gazidede po dilte duke turfulluar. Shoqëruesi i Rugovës më shpjegoi më vonë se kishte dy orë që priste të takonte Rugovën dhe ai nuk ia kishte hapur derën. As për mua nuk pranoi të fliste publikisht. Kishte një ndjenjë mospërfillje dhe bezdie nga politika që prodhonte Berisha, që të çarmatoste.

Acarimi i skajshëm i marrëdhënieve me Rugovën erdhi paralelisht me forcimin e krizës shqiptare, derisa Berisha bëri përpjekje dhe për të dubluar atë si figurë me emra të tjerë nga Kosova, përfshi Demaçin. Aty ndeshi në një reagim therës nga LDK, dhe një distancim të saj prej tij. Çarja u bë e madhe.

Në vizitën e tij të fundit në Tiranë, Ibrahim Rugova ishte në shtator të vitit 1997, kur socialistët kishin ardhur në pushtet. Ai takoi krerët e rinj të Tiranës, por Berisha nuk pranoi ta takonte. Thjesht e konsideronte armik të tij. Rugova ia kishte kthyer monedhën më vonë, kur nuk denjoi të bëhej garant për të që të vizitonte Kosovën në qershorin e vitit 2000, duke e poshtëruar të kthehej nga kufiri në Kukës. Berisha e thumboi publikisht duke thënë se do të shkonte në Kosovë kur aty të kishte një president legjitim, çka nënkuptonte armiqësinë me Rugovën, që ndërkohë ishte president legjitim i Kosovës.

Por Berisha nuk shkoi dot në Kosovë sa ishte gjallë Rugova. Shkoi ditën që vdiq. Atë ditë Rugova ishte i pafuqishëm ta refuzonte. Njerëzit e tij po ashtu.

Në të ftohtin e hidhur të asaj dite në Prishtinë, ishim në një avion të gjithë, opozitarë, pushtetarë dhe gazetarë. Zbritëm në aeroport dhe disa deputetë të LDK-së pritën Berishën, duke i bërë disa lëvdata si kryeministri i Shqipërisë. Ishte dhe Preç Zogaj, që në atë kohë drejtonte Komisionin e Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë.

Duke njohur mirë raportet e Berishës me Rugovën, më doli pak si spontanisht një batutë e hidhur për të.

-Nuk të priti dhe nuk të priti dot Doktor, i thashë.

Më pa me sy shumë hetues dhe nuk foli. Pak më vonë në një takim më të ngushtë me njerëz të Familjes së tij u përlot dhe qau. Një nga njerëzit më të afërt të Rugovës në LDK, Sabri Hamiti, nuk i gëlltiti dot lotët e tij dhe nuk ndenji pa shfryrë për këtë hipokrizi. Dukej se plagët nuk ishin mbyllur. Dhe nuk janë mbyllur akoma.

LDK tradicionale e Rugovës ka një lloj distance të ftohtë me Berishën. Ata nuk e pranojnë dot ende përpjekjen e tij titanike për të qenë paternalist mbi LDK dhe pushtetin e saj, dhe për të diktuar nga Tirana udhëheqësit politikë, siç tentuan dhe bënë me Prosperitetin Demokratik në Maqedoni, derisa e ndanë në dy parti. Dhe në atë histori u ndesh me Rugovën. Nuk pranoi që të mbështeste Berishën për të përçarë shqiptarët në Maqedoni. Delegacioni i Rugovës iku në mënyrë demonstrative nga Kuvendi i Prosperitetit, ku të dërguarit e Berishës nga Tirana grisën statutin e partisë për të diktuar atë që donin. Tek Rugova kjo praktikë nuk i shkoi.

Po përtej kësaj, dhe vizioni politik i Rugovës me atë të Berishës kishin një ndryshim thelbësor. Rugova besonte në ato që thoshte, besonte vërtet tek rruga paqësore me çdo çmim, besonte vërtet që Kosova do çlirohej falë ndërhyrjes ndërkombëtare të NATO-s dhe OKB-së, ashtu dhe siç u bë. Besonte se mund të bëhej një shtet kosovar i pavarur nga Shqipëria. Besonte se shteti i Kosovës ishte një përparësi më e madhe se bashkimi kombëtar. Besonte se imazhi paqësor mund të bënte Kosovën një vend të njohur në botë si një shoqëri që ia vlen ta bësh shtet.

Përkundër tij, vizioni i Berishës për Kosovën është thjesht një terror ku ai kërkon të diktojë, të sundojë, të ketë paternalizëm mbi politikën dhe kush nuk i bindet, ta heqë qafe nga politika. Atë që tentoi të bëjë ndaj Rugovës, e bëri më pas dhe ndaj Hashim Thaçit, siç pohojnë dhe burimet e Wikileaks. Ai nuk heq dorë asnjë ditë nga ëndrra për të diktuar në Kosovë dhe për t’i pasur liderët politikë kosovarë, ushtarë të tij. Është kjo arsyeja që askush prej tyre nuk ka respekt personal për Berishën, dhe vetë Berisha u imponohet atyre me populizmin e tij folklorik, që mban gjallë tek pjesa rurale e Kosovës.

Dhe për t’u kthyer tek fillimi i këtij shkrimi, dua të theksoj se LDK nuk ka bojkotuar kryeministrin e Shqipërisë dhe nuk besoj se ka zënë vend në kulturën politike të asaj partie kjo frymë anti-rugoviane. Ata kanë një hall se janë në fushatë zgjedhjesh dhe u duhet të bëjnë ndonjë gjest populist për t’u kujtuar që janë parti e Rugovës, dhe përdorin me këtë rast njerëz të Berishës brenda tyre për incidente të tilla banale. Por ata karagjozë nuk janë LDK. Është e vërtetë se ajo parti po zvogëlohet dita- ditës si një grumbull njerëzish pa vlera, siç do shkojë dhe partia e Berishës këtu, por në përbërje të saj ka plot intelektualë dhe njerëz me mend që kanë po aq neveri për ata karagjozë, sa dhe të tjerë jashtë salle. Është problemi që ajo parti ka pasur gjithnjë me përpjekjen e Berishës për ta komanduar. Sa ishte gjallë Rugova, nuk e la të afrohej as tek pragu. Shtatë vjet pas vdekjes së tij, Berisha mund t’i ketë bërë 7 vetë të tijtë në LDK, por jo LDK-në.

Po i shkruaj këto rreshta për të mos u lodhur të shani Rugovën si tradhtar apo hero, dhe as Berishën si spiun të Serbisë apo antishqiptar. Berisha po sillet si Berisha, që do të fusë hundët kudo, ndërsa Rugova vdiq besnik i vetes së tij dhe i dha me personalitetin e tij pacifist një imazh të jashtëzakonshëm Kosovës në Perëndim, aty ku shqiptarët shikohen akoma si njerëz me bisht.

Tani na kanë mbetur vetëm bishtat e Berishës. Injorojini ata!

(Gazeta Tema)