LDK dhe VV kategorik kundër koalicionit me PDK-në

Pas Shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të Vetëvendosjes dhe LDK-së kanë thënë se e mohojnë absolutisht ndonjë mundësi për koalicion me PDK-në. Nëse ndodhë ashtu, edhe Florin Kelmendi e edhe Xhafer Tahiri do të braktisin partitë e tyre.

Lajme

07/05/2014 19:02

Deputetët Florin Krasniqi nga Vetëvendosje dhe Xhafer Tahiri nga LDK kanë akuzuar njëri tjetrin për afërsi me PDK-në.

Kështu, ata kanë bartur debatin e zhvilluar gjatë seancës së sotshme në Kuvend, për flirtim me Qeverinë Thaçi në studion e emisionit \”Info Magazine\” në Klan Kosova. Madje, Krasniqi ka thënë se mocioni i mosbesimit i LDK-së ka qenë nga vetë PDK-ja.

“Ne nuk kemi një program të përbashkët me LDK-në. LDK mendon se duhet të shkarkohet Parlamenti.  Ne mendojmë se duhet shkarkuar Qeveria. Ne mendojmë se e kemi argumentuar shumë mirë faktin që duhet të shkarkohet Qeveria, nga dita e parë”.

“Kjo ka treguar se PDK dhe LDK kanë punuar bashkë në këtë drejtim. Ne do ta mbështesnim mocionin e LDK-së, por ai ka qenë i PDK-së. Kush e ka shkruar këtë mocion?”.

“Momentin kur Vetëvendosja do të bëhet pjesë e qeverisjes me PDK-në, Florin Krasniqi do të jep dorëheqje”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Xhafer Tahiri ka thënë se qëllimi i LDK-së është arritur sot, me shkarkimin e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje parlamentare në mesqershorin e këtij viti.

“As opozita nuk i ka pasur numrat që ta shkarkojë Qeverinë e Kosovës. Për LDK-në çdo minutë i qeverisjes së Thaçit ka qenë i tepërt”.

“LDK si parti udhëheqëse opozitare ka zgjedhur këtë mekanizëm për shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen në zgjedhje në Qershor”.

“Kjo është e arritur e gjithë opozitës, sepse ne kemi shkurtuar mandatin. Nuk na duhet një Kuvend i cili është përdorur çdo ditë nga zoti Thaçi i cili çdo ditë ka punuar për të legjitimuar veprimet e veta”.

“Nuk ka të bëjë me ndonjë koalicion midis PDK-së dhe VV-së. Absolutisht, Xhafer Tahiri nuk do të jetë pjesë e një koalicioni të LDK-së me PDK-në”.

“PDK duhet të shkojë në opozitë, duhet t’i lajë gjynahet e këtij mandate, duhet ky vend përfundimisht t’i kthehet normalitetit”, ka thënë ai në “InfoMagazine”.