LDK dhe VV bojkotojnë grupin punues për Projektligjin për mbrojtjen nga ndotja e ajrit

Në Komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Planifikim Hapësinor anëtarët e LDK-së, Besa Gaxherri dhe Lutfi Zharku dhe anëtari nga Lëvizja Vetëvendosje, Salih Zyba nuk pranuan të jenë pjesë e grupit punues për shqyrtimin e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja.

Lajme

25/09/2018 16:29

Në komision u kërkua që të krijohet grupi punues për shqyrtimin e këtij projektligji për shkak se anëtarët e tij deklaruan që nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për ta lexuar Projektligjin.

Besa Gaxherri tha se do t’i mbledhin ekspertët në parti por nuk do të jenë pjesë e grupit punues.

“LDK nuk do të merr pjesë në votim në asnjë pikë të rendit të ditës. Ne deklaruam qartë që nuk do të jemi pjesë e grupit punues. Ne jemi parti politike opozitare dhe kohë pas kohe i kemi qëndrimet tona”, deklaroi Gaxherri.

Edhe anëtari tjetër i LDK-së, Lutfi Zharku tha që nuk do të jenë pjesë e grupit punues për shkak të keqinterpretimit që mund të ndodhë në Kuvendin e Kosovës.

“Është problemi i keqinterpretimit në Kuvend, nëse në grup kemi votim tjetër e në Kuvend një tjetër atëherë në grup nuk po marrim pjesë kështu që në Kuvend do ta kemi mendimin e partisë”, ka theksuar Zharku.

Anëtari i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba nuk dha ndonjë propozim për grupin punues

“Nuk kemi propozimi për grupin punues por do të konsultohemi e pastaj do të jemi në dispozicion për projektligjin”, potencoi Zyba.

Salih Salihu nga Partia Social Demokrate (PSD) reagoi ndaj qëndrimeve të anëtarëve nga LDK dhe LVV duke thënë se nuk e ka të qartë qëndrimin  e tyre.

“Nuk e kam të qartë me çka jemi duke i lidhë këto çështje, ne gjithmonë kemi punuar bashkë pavarësisht qëndrimit të partive parlamentare. Nuk po mendoj që është mirë me prezantu një praktikë të re”, deklaroi Salihu.

Salih Zyba nga Lëvizja Vetëvendosje iu kundërpërgjigj duke thënë se qëndrimi i tyre ishte i qartë edhe pse Salihu nuk arriti ta kuptonte atë.

“Nuk mundet me na kuptu kolegu por kemi qenë të qartë, nuk mund të bëhemi avokat të qeverisë nëse ato praktika nuk kanë rezultat, normalisht që kur ka risi ka edhe praktika të reja”, tha Zyba.

Por deputetja Ganimete Musliu nga PDK theksoi se më parimore është nëse ata refuzojnë të jenë pjesë e grupit punues se sa të punojnë bashkë dhe pastaj në Kuvend të dalin kundër.

“Për mu ma parimore është mos me qenë fare pjesë e grupit punues se sa herën e kaluar që kanë qenë pjesë e grupit, kemi punuar bashkë dhe në seancë na kanë dalë kundër, unë i respektoj praktikat e LDK-së dhe VV-së”, deklaroi Musliu.

Në rend të ditës ishte votimi i Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja për të cilin pjesë e kësaj mbledhje ishin edhe dy përfaqësuese të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) për të prezantuar Projektligjin.

Përfaqësuesja e MMPH-së, Mezafete Hakaj shpjegoi para anëtarëve të Komisionit se në 80 deri 90 për qind e Projektligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja ka ndryshuar.

“Hera e dytë që bëjmë ndryshimin e projektligjit për shkak se ka ndryshime në direktivat e BE së dhe ka pengesa në implementim e tij. Ai duhet të përshtatet me direktivat e BE-së dhe të përshtatet me kushtet tona të zhvillimit ekonomik dhe social. Projektligji 17 kapituj dhe 70 nene, i referohet mbrojtjes dhe përmirësimin e cilësisë ajrit po ashtu edhe ngritjes se cilësisë së ajrit, definohen qartë përgjegjësitë e komunave dhe ministrive për mbrojtjen e ajrit. 80 gati 90 për qind ky projektligj ka ndryshime”, ka thënë Hakaj.

Pas propozimeve për kryesuesin dhe anëtarët e grupit punues dhe qëndrimeve kundër të LDK-së dhe LVV-së për të qenë pjesë e këtij grupi, grupi punues me kryesues Salih Salihun u votua me 6 vota për dhe me Besa Gaxherrin, Lutfi Zharkun dhe Salih Zybën që nuk morën fare pjesë në votim./Kallxo.com/