LDK dhe Vetëvendosje bojkotojnë takimin për dialogun

Krerët institucionalë të Kosovës, anëtarët e Delegacionit Shtetëror për Bisedimet me Serbinë, si dhe përfaqësues të subjekteve politike në vend sot do të mbajnë një takim koordinues, në të cilin do të diskutohet për temat e dialogut me Serbinë.

Lajme

14/01/2019 08:21

Por në këtë takim nuk do të marrin pjesë dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje

Dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk do të marrin pjesë në takimin e thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, në të cilin do të diskutohet për temat e dialogut që janë të domosdoshme për arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë. Opozitarët thonë se takimet e tilla nuk kanë kurrfarë roli.

Ndërsa analistët politikë thonë se konsensusi duhet të arrihet në Kuvend e jo në takime të partive politike.

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka thënë për “Zërin” se anëtarët e këtij subjekti nuk do të marrin pjesë në takimet të cilat i thërrasin liderët e koalicionit qeverisës.

Ai ka thënë se ftesat e liderëve të subjekteve në pushtet janë të kota, derisa ka shtuar se këta duhet të kenë legjitimitet politik.