LDK: Dështimet e Qeverisë Thaçi

LDK thotë se projektet madhore të Qeverisë janë dështim total. Kjo parti akuzon Qeverinë se ka pasur tendenca për të bërë privatizime joligjore të aseteve publike. Sipas LDK’së, Distribucioni u fal, Autostrada u inaugurua pjesërisht etj.

Lajme

26/01/2014 11:40

Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron dështim total projektet e mëdha të Qeverisë së Kosovës.

Partia më e madhe opozitare, po ashtu, akuzon Qeverinë e Kryeministri Thaçi për tendenca për të bërë privatizime joligjore të aseteve publike.

Reagimi i kësaj partie karshi projekteve madhore të Qeverisë së Kosovës vjen përmes Grupit të Ekspertëve për Çështje Ekonomike.

“Projektet më të mëdha të qeverisë në largim janë dështim total. Asete strategjike të vendit janë falur”.

“Disa projekte janë implementuar me çmim shumë të lartë. Në të gjitha këto projekte transparenca ka qenë zero”.

“Kontratat asnjëherë nuk janë bërë publike. Ka pasur edhe tendenca nga qeveria për të bërë privatizime joligjore të aseteve publike”.

Sipas LDK’së, Distribucioni dhe Furnizimi me energji është falur për 17 milion euro.

“Vetëm investimet në rrjet të energjisë nga komunat e ndryshme tejkalojnë këtë shumë. Investimet që planifikohen të bëhen nga kompania që e ka privatizuar këtë aset publik, do të vijnë nga rrija e tarifës së energjisë elektrike. Kështu, këto investime do të paguhen nga qytetarët e Kosovës”.

LDK thotë tutje se Autostrada Morinë-Besi u inaugurua pjesërisht.

“Kostoja e saj shkon në 1 miliard euro, që e bënë autostradën më të shtrenjtën në rajon. Kontrata asnjëherë nuk është bërë publike”.

“Në draftet jozyrtare të kontratës, çmimi për disa punë ka qenë shumëfish më i lartë se çmimi me të cilin janë paguar kompanitë vendore në projekte të ngjashme”.

Në fushën e energjisë, sipas kësaj partie, projekti i Kosovës C ka ngecur tash e sa vite.

“Planet për revitalizim të sektorit të energjisë tashmë janë vjetruar. Nuk ka asnjë mundësi që më 2017 të heqim nga përdorimi ‘Kosovën A’, që është kancer për qytetarët”.

LDK thotë se një aset tjetër publik, PTK, u tentua të privatizohet në mënyrë jo ligjore pa vendim të Kuvendit të Kosovës, siç parashihet me nenin 9 të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

“Qeveria e shpalli fituesin, por nuk mundi ta përmbyllë procesin, ngase dështuan përpjekjet që të kaloi në Kuvendin e Kosovës raportin e Komisionit Ndërministror për Privatizimin e PTK-së. LDK e stopoi këtë proces joligjor, e mbështetur nga partitë e tjera opozitare”.

Po sipas LDK’së, Autostrada për Shkup po vazhdon me avazin e autostradës paraprake.

“Procedurat për kontraktimin e saj janë shumë jo transparente. Variantet për ndërtimin e saj nuk po diskutohen në publik”.

“Qytetarët që do të paguajnë për atë autostradë nuk kanë asnjë informata për të. Ka tendenca se do të kontraktohet për 100 milion euro më shtrenjtë”.