LDK anashkaloi trashëgimin rugoviane

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri thotë se për partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK ka pak rëndësi pëlqimi i qytetarëve për arritjen e këtij koalicioni.

Lajme

15/12/2014 09:22

Në intervistën dhënë për Truibuna, Tahiri thotë se me arritjen e koalicionit qeverisës mes PDK-së dhe LDK-së, veçmas kjo e fundit ka anashkaluar trashëgimin politike rugoviane.

Sipas tij, LDK-ja ka hyrë në koalicion me synimin që të akomodojë grupacionet të cilat kanë qenë në qeverinë PDK-LDK në vitin 2008-2010.

“Për partnerët e koalicionit ka pak rëndësi pëlqimi dhe pranimi i qytetarëve  e sidomos për  LDK sepse ata krejtësisht kanë anashkaluar  trashëgiminë politike të kësaj  lëvizjeje politike që ka pasur përkrahje të madhe nga shumë qytetarë të Kosovës, sidomos për kontributin e presidentit Rugova. Krejtësisht në drejtim të kundërt, LDK në këtë koalicion ka hyrë dhe po synon vetëm akomodimin e grupeve që kanë qenë në qeverinë PDK-LDK (2008-2010) e të cilët nuk janë shquar me suksese në qeverisje në resoret e tyre, andaj me një fjalë ky mund të quhet riciklim i dështimit”.

Besnik Tahiri thotë se qeveria PDK-LDK është humbje e shpresës së qytetarëve andaj ai nuk pret që ky koalicion t’i “mbijetojë” një mandati të rregullt katër vjeçar.

“Koalicioni i fundit në mes të PDK-LDK po ashtu i hap rrugë fillimit të një epoke të re në politikën kosovare sepse me këtë marrëveshje humbi shpresa se partia e dytë mund të jetë opsion i ndryshimit. Kjo sepse  LDK përfundimisht  bëhet vetëm një fragment i PDK-së. Andaj,  ne si subjekte opozitare duhet ta kemi vëmendjen e drejtuar ndaj korrigjimit të gabimeve të kësaj qeverie në mënyrë të vazhdueshme dhe konkrete  që të përgatitemi për të marrë besimin e popullit për mandatin për ndryshime”.

“Meqë e theksova më sipër që  ky koalicion nuk ishte pritje e as kërkesë  e qytetarëve për ndryshim, por bashkim i interesave të disa individëve për pozicione  dhe pushtet, nuk pres  që  ky koalicion do të mbijetojë mandatin e plotë. Por vetëm për aq sa do të zgjasin interesat e tyre”, ka thënë Tahiri për Tribuna.