LDK akuzon “vetveten” për dështimin e Kosovës që t’i siguroj votat për Interpol!

“Yryshi” që partia e dytë opozitare në Parlamentin e Kosovës mori për të akuzuar Qeverinë aktuale, madje me reagim në lidhje me shtyrjen e aplikimit të procesit të anëtarësimit në INTERPOL po shihen si plotësisht të paarsyesshme, thellësisht të papërgjegjshme dhe skajshmërisht tendencioze dhe që për qëllim të vetëm kanë ‘përfitimin’ e cekët politik nga situata, që ajo ka kontribuar dhe për të cilën mban përgjegjësi jo vetëm politike, por, edhe Institucionale.

Lajme

22/09/2017 13:37

Lidhja Demokratike e Kosovës, kishte qeverisur për më shumë se tre vite me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ministri kjo, që i ka pasur në kompetencë pothuaj të plotë të gjitha ingerencat në lidhje me përgatitjen, planifikimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve si në raportin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm.

Për më tepër, ajo ka qeverisur edhe me postin e Kryeministrit të vendit dhe ndoshta ka pasur mazhorancën më të madhe në Kuvendin e Republikën e Kosovës sa i përket votave, respektivisht numrit të deputetëve si koalicion qeverisës. Megjithëkëtë, kjo nuk i mjaftoi, që të marrë asnjë vendim të madh me rëndësi për vendin.

Sjelljet e tilla iracionale nga një subjekt politik parlamentar, që dikur kishte vënë interesat nacionale para atyre politike, e që sot dëshmon të kundërtën mbeten të papranueshme dhe që mund të konsiderohen edhe si kryeneçe.

Vendimin për shtyrjen e votimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Interpol e morri dje, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në lidhje me këtë temë, ai tha se “besimin në Kosovën si anëtare e Interpolit e kanë shprehur tashmë shumë vende, por, jo në numër të mjaftueshëm që Kosova të anëtarësohet në këtë organizatë”.

Në ndërkohë, në një reagim nga Ministria e Punëve të Jashtme u tha se “pas vlerësimit dhe analizimit të hollësishëm të procesit të anëtarësimit në INTERPOL dhe dinamikave të brendshme brenda kësaj Organizate, është vlerësuar se është në interesin e Kosovës, që të shtyhet votimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL për vitin e ardhshëm”. /Lajmi.net/