LDK akuzon Vetëvendosjen për dështim në udhëheqjen e Prishtinës

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila deri para pak muajsh, ka qeverisur me kryeqytetin, sot në një konferencë për media, ka vlerësuar se qeverisja e re e komunës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar. 

Lajme

07/05/2014 18:02

Grupi parlamentar i LDK-së, në Kuvendin Komunalë të Prishtinës, ka vlerësuar se Prishtina e udhëhequr nga Vetëvendosje është jostabile. Sipas tyre dështimet në komunën e Prishtinës  kanë qenë evidente.

Këshilltari komunal Flamur Shala ka thënë se, se në katër mujorin e qeverisjes Ahmeti dështimet në komunë kanë qenë evidente, dhe sipas tij, kryetari po sillet si të jetë në fushatë zgjedhore.

 “Realizimi i buxhetit të komunës qoftë në të hyra apo në realizim është shqetësues. Është shqetësuese ndërprerja e projekteve të nisura më herët të bartura dhe të planifikuara për 2014. Shpend Ahmeti nuk po tregon se Prishtina i ka plane strategjike për zhvillimin e saj për pesë vitet e ardhshme por po i fsheh ato sikur të mos ekzistonin fare”, tha ai.

Një ndër projektet e ndërprera nga Ahmeti, Shala ka përmendur shkollën e muzikës “Prenk Jakova”. “Me këto shkelje ligjesh nga kreu i komunës, Prishtina mbetet e vonuar në realizimin e projekteve”, ka thënë ai, duke shtuar se në Komunën e Prishtinës mungon transparenca.