LDK akuzon Thaçin për keqpërdorim të shërbyesve publikë

Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron të paligjshme dhe të pamoralshme veprimet që po bën kryeministri në largim Hashim Thaçi me shërbyesit publikë në Kosovë. 

Lajme

27/05/2014 23:55

Se deri ku ka shkuar kapja e shtetit nga Thaçi dhe partia e tij, tregon edhe spoti ku ai keqpërdorë policët, infermierët, mjekët, mësimdhënësit si dhe shërbyesit tjerë publikë për të bërë fushatë për partinë e tij politike, vlerëson LDK-ja.

“Përdorimi i shërbyesve publikë për fushata partiake dhe personale ndodh vetëm në vendet diktatoriale, siç po synon PDK dhe Thaçi ta shndërrojë Kosovën”.

“Detyrimi që po bën kryeministri në largim, që shërbyesit civilë të dalin publikisht dhe të deklarojnë lartësinë e pagave të tyre, është shkelje e rëndë e sekretit afarist dhe privatësisë. Për LDK-në, këto veprime jodemokratike dhe johumane bien ndesh edhe me traditën shqiptare, ku familja dhe privatësia janë të shenjta”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK-ja i bën thirrje edhe vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë që të monitorojnë shkeljet e privatësisë dhe keqpërdorimet e tilla.