LDK, AAK dhe Nisma reagojnë ndaj sondazhit të sotëm

Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë të indinjuara nga sondazhi i publikuar sot në të përditshmen Tribuna. 

Lajme

05/06/2014 16:52

LDK dhe Nisma akuzojnë PDK-në për porositje të këtij sondazhi, pasi që ky subjekt politik parashihej të fiton zgjedhjet e 8 qershorit, por befasi e këtij sondazhit del të jetë edhe AKR-ja e cila radhitet para AAK-së, me nëntë për qind të votave. 

Në një reagim të LDK-së, thuhet se PDK përmes këtij sondazhi, po tregojnë panikun e humbjes që e ka kapluar kryetarin e këtij subjekti, Hashim Thaçin.

“E përballur nga paniku i humbjes dhe dënimi që do të pësojnë të dielën nga vota e qytetarëve, Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Hashim Thaçi, po provojnë që të manipulojnë opinionin publik me sondazhe të porositura dhe të paguara, të cilave nuk ju beson askush, madje as ata që i kanë paguar”.

“LDK me qetësi e pret ditën e zgjedhjeve dhe ju bën thirrje qytetarëve që të dalin sa më masovisht në zgjedhje. LDK ju bën thirrje të gjitha subjekteve politike që të respektojnë vendimin e sovranit në ditën e zgjedhjeve”.

“LDK i qartëson anëtarësinë, simpatizantët dhe gjithë qytetarët, se askush nuk mund të manipulojë vullnetin e tyre. E vullnetin e sovranit tashmë e dinë të gjithë, ai është për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe listën e saj për deputetë”.

Ndërsa, AAK përmes një komunikate për media, këtë sondazh e ka quajtur më shumë si shprehje dëshire.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ua kujton të gjithë atyre që synojnë manipulimin e opinionit publik përmes sondazheve të porositura se këto nuk janë sondazhe por dëshira të tyre”.

“Sondazhet e vërteta do të dalin në mbrëmjen e 8 Qershorit kur Kosova të vendosë. Dhe vendit t\’i jep”.

Edhe Nisma për Kosovën përmes një reagimi, janë shprehur të sigurt se ky sondazh është porositur nga Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi.

“Nisma për Kosovën nuk e di se a ka vepruar në të njëjtën mënyrë edhe Vetëvendosja. Por, duke njohur mënyrën manipuluese të Hashim Thaçit, ne nuk e përjashtojmë që shumë shpejtë, edhe mediet e pavarura të kandidates së PDK-së, Margarita Kadriut, të publikojnë ndonjë sondazh të besueshëm ndërkombëtar”.

“Nisma për Kosovën ka besimin e madh se sovrani i Kosovës do të ndëshkojë të gjithë ata që me paranë e popullit  mundohen t’i manipulojnë qytetarët”.