LB: Vonesat e rektoratit të UP-së shkaktojnë kaos në procesin mësimor

Lëvizja për Bashkim përmes një reagimi për media thekson se më 2 tetor të këtij viti, rektorati i UP “Hasan Prishtina” dhe kreu i MASHT-it proklamuan, përuruan dhe përgëzuan për fillimin e vitit të ri akademik në këtë universitet, por fatkeqësisht, sipas LB-së, ky fillim nuk ishte ai i duhuri dhe si i tillë, u përcoll me pasoja për procesin e rregullt mësimor.

Lajme

13/10/2017 14:41

 

LB potencon katër veprime të rektoratit të UP-së që këtë fillim e bëjnë shumë të ngathët.

“Në të vërtetë,  bëhet fjalë për së paku katër veprime të vonuara të UP-së të cilat bëjnë që shumë orë mësimore të humbin. E para, konkursi për ‘angazhimin e mësimdhënësve’ për orët që nuk mbulohen nga mësimdhënësit e rregullt, është shpallur në tetor dhe ende nuk është përmbyllur. Mbi 15% e orëve mësimore humbin vetëm për këtë shkak, sepse ato orë nuk ka kush t’i mbajë”, thuhet në reagim.

“E dyta, konkursi për pranimin e studentëve në nivelin e studimeve Master është shpallur po ashtu në tetor dhe ky proces ende nuk është përmbyllur. D.m.th., mësimi në programet Master ende nuk ka filluar. Realizimi i konkursit për Master shkakton çrregullim edhe në procesin mësimor të nivelit Bachelor, për shkak të angazhimit të mësimdhënësve në realizimin e konkursit dhe për shkak të zënies së sallave me provime pranuese. Ndërsa, dihet se studimet e këtij niveli janë studime të rregullta me statut dhe fillojnë e mbarojnë bashkë me ato të nivelit themelor” thuhet më tej në reagimin e LB-ës.

Sipas kësaj lëvizje, në disa departamente, stafi i rregullt i UP-së, ndarjen e orëve e ka bërë në tetor.

“Edhe ky veprim i vonuar ka bërë që të humbet një numër i konsiderueshëm i orëve. E katërta, disa fakultete janë në renovim, nëpër salla mungojnë tabelat, mungon rryma elektrike etj. Kjo shkakton humbjen e orëve, ndërsa nuk ka ndonjë vendim mbi shtyrjen e mësimit për shkak të këtyre renovimeve, gjë e cila, sipas rektoratit, trajtohet si gjendje normale”, thuhet në reagimin e Lëvizjes për Bashkim.

LB thekson se dy nga këto veprime janë përgjegjësi e drejtpërdrejtë e rektoratit të UP-së, i cili për shkak të neglizhencës së tij, shpalljen e dy konkurseve e ka bërë në tetor, derisa ato është dashur të shpallen në shtator.

“Lëvizja për Bashkim fton udhëheqjet e universiteteve të vendit, si dhe ministrin e MASHT-it që para se të flasin për ngritjen e cilësisë në këto universitete, të përmbushin detyrat më elementare për funksionalizimin e universiteteve dhe për fillimin e mësimit me kohë. Gjithashtu, ne ftojmë ministrin e arsimit që, brenda kompetencave, të marrë masa për vonesat e konkurseve të shpallura nga rektorati i UP-së, si dhe për renovimet që janë duke u bërë në ambientet e UP-së gjatë këtij muaji, si pasojë e të cilave tash dy javë nuk ka proces mësimor normal”.