LB: Qeveria të mos humb kohë me komisione të reja për Demarkacion, ta procedojë në Kuvend’

Lëvizja për Bashkim i ka bërë thirrje Qeverisë që sa më parë ta procedojë në Kuvend marrëveshjen aktuale për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Lajme

19/09/2017 11:59

Me anë të një komunikate për media kjo lëvizje ka vlerësuar se e vetmja rrugë për ta kontestuar këtë marrëveshje është rrëzimi i saj në Kuvend.

Andaj sipas saj Qeveria nuk duhet të humbë kohë me komisione të reja, por ta dërgojë këtë marrëveshje në Kuvend

“Lëvizja për Bashkim, duke qenë se edhe në kohen e protestave, peticionit e gazit lotsjellës për demarkacionin ka deklaruar se e vetmja rrugë për ta kontestuar marrëveshjen për demarkacion është rrëzimi i saj në Kuvendin e Kosovë, thërret qeverinë e vendit që sa më parë ta procedojë në Kuvend marrëveshjen aktuale dhe të mos humb kohë me krijimin e komisioneve të reja, të cilat nuk prodhojnë asnjë efekt juridik në raport me Malin e Zi”.

“Demarkacioni nuk është thjesht çështje gjeografie e historie, por mbi të gjitha është çështje të së drejtës ndërkombëtare”.

“Vetëm pas rrëzimit të kësaj marrëveshjeje në Kuvend, krijohet kontest juridik i ri me Malin e Zi dhe vetëm atëherë mund të bëhen përpjekje ose të rinegociohet marrëveshja, ose të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri Haradinaj ka shkarkuar komisionin e kaluar për Demarkacionin me Malin e Zi, ndërsa ka emëruar Shpetim Bulliqin kryetar të komisionit./Lajmi.net/