LB kërkon ndriçimin e vdekjeve të dyshimta në QKUK

Lëvizja për Bashkim ka kërkuar ndriçimin sa më të shpejt të rasteve të vdekjeve të dyshimta në QKUK.

Lajme

20/09/2017 14:47

 

Sipas LB-së, rasti i këtyre vdekjeve pas intervenimeve kirurgjike “përveç që paraqet një shqetësim alarmant, është kulmi i papërgjegjësisë, neglizhencës, korrupsionit, për të mos thënë i sabotimit të sistemit të shëndetësisë dhe të shëndetit të pacientëve”.

”Kjo është një situatë e frikshme, e cila i ka vendosur në një situatë pasigurie të plotë si pacientët, ashtu edhe mjekët. Një gjendje e tillë është e pashembullt në historinë e QKUK-së, andaj kërkon ndërhyrje urgjente të të gjithë mekanizmave shtetërorë”.

Lëvizja për Bashkim njëherit ka kërkuar  që Ministria e Shëndetësisë ta iniciojë ndryshimin e ligjit për shëndetësinë dhe ta fuqizojë detyrimin e kryerjes së obduksionit për të gjitha rastet e vdekjeve të dyshimta brenda ambienteve të institucioneve shëndetësore të Kosovës.

”Zhvarrosja e rasteve të lartpërmendura për obduksion, i cili nuk është i kualitetit të njëjtë sikur të ishte punuar me kohë, pasqyron edhe një qasje joserioze të një institucioni terciar shëndetësor të cilët kanë neglizhuar kryerjen e autopsisë të personave të vdekur në rrethana të dyshimta”, theksohet në një kumtesë të kësaj partie.