Lavrov: SHBA po pengon zbatimin e marrëveshjes

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po pengojnë zbatimin e marrëveshjes së arritur për armëpushim në Siri.

Bota

24/02/2016 21:28

​“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po pengojnë implementimin e marrëveshjes së firmosur për armëpushimin në Siri”, tha Sergei Lavrov i cili hedh edhe njëherë dyshime sa i përket mundësisë respektimit të akordit për të ulur armët në Lindjen e Mesme, plan ky që pritet të vihet në zbatim më datë 27 shkurt.

Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi me ish-senatorin amerikan Samm Nunn në Moskë.

“Sapo Presidenti i Rusisë dhe ai i Shteteve të Bashkuara aprovuan marrëveshjen e armëpushimit në Siri, disa zëra nga Ëashintoni dhe nga kryeqytetet e tjera të aleatëve të Amerikës shprehën dyshime në lidhje me qëndrueshmërinë e akordit të arritur. Më duhet të them se në qasjen tonë, këto deklarata ngjasojnë më shumë si një thirrje për luftë dhe jo për paqe.”

Nga ana tjetër, ish-Senatori Nunn vlerësoi përpjekjet e bëra nga Lavrov dhe sekretari amerikan i shtetit, John Kerry për të vendosur paqe në Lindjen e Mesme. Ai tha se është shumë e rëndësishme që palët të gjejnë një gjuhë të përbashkët.

Në lidhje me marrëveshjen e armëpushimit ka reaguar edhe Presidenti i Turqisë, Taip Erdogan. Ai shprehu shqetësimin se nga ky plan mund të përfitojë Presidenti Bashar Al-Assad, i ci li mund të shfrytëzojë armëpushimin për të forcuar pozitat e tij në raport me rebelët. Erdogan përsëriti edhe akuzat drejtuar Rusisë, duke thënë se bombardimet e forcave ajrore ruse po godasin opozitën siriane dhe jo grupet terroriste.

Sipas Presidentit turk, këto sulme po detyrojnë mijëra qytetarë të lënë shtëpitë e tyre.