Lavrov kërkon të dërguar special në Maqedoni

Për shkak të tensionit të rritur në Maqedoni, Rusia ka propozuar në rajon të dërgohet sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Torborn Jaglland, kumtoi sot Ministria e Punëve të Jashtme ruse, ndërsa shefi i diplomacisë Sergej Lavrov ka vlerësuar se ky veprim është esencial.

Lajme

19/05/2015 19:18

“Duke e pasur parasysh rritjen e tensioneve në Maqedoni, pala ruse propozoi dërgimin e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës në rajon”, theksohet në kumtesën e MPJ-së ruse, pas pjesëmarrjes së Lavrovit në takimin e Komitetit të ministrave të KE-së në Bruksel.

Në kumtesë shtohet se Lavrov, në kuadër të pjesëmarrjes në takim, ka pasur takim pune me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

Siç transmeton Tanjug, në fjalimin e tij në Bruksel Lavrov e ka vlerësuar si mjaft të rëndësishme vizitën e Jagllandit në Shkup.

“Duke e pasur parasysh dimensionin e dukshëm rajonal të ngjarjeve në Maqedoni do të ishte shumë e rëndësishme sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës ta vizitojë Shkupin, që të promovojë normalizimin e situatës në bazë të parimeve dhe vlerave të organizatës tonë”, ka thënë Lavrov.