Lart, në Mitrovicë

Hashim Thaçi premton 150 milionë euro investime për Mitrovicën për katër vjetët e ardhshme. Ndërsa Avni Kastrati gëzon futbolldashësit, premton që stadiumi “Adem Jashari” do të bëhet sikur “Wembley” i Londrës.

Lajme

04/10/2013 16:52

Pas disa vitesh, Kosova do të mund të konkurrojë që një ndeshje e finales së Ligës së Kampionëve të zhvillohet në Mitrovicë.

Situata mund të vijë deri aty që kjo kandidaturë t’i hedhë poshtë kandidaturat tjera si “Santiago Bernabeu”, “San Siro”, “Emirates”… sepse Kryetari i Mitrovicës Avni Kastrati ka premtuar që Stadiumi “Adem Jashari” brenda katër vjetëve do të duket sikur “Wembley” i Londrës.

Partia Demokratike e Kosovës ka hapur sot fushatën për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Mitrovicë me premtime të mëdha për investime në katër vjetët e ardhshme.

Kryetari i kësaj partie, Hashim Thaçi premtoi 150 milionë euro investime për këtë qytet, nëse elektorati zgjedh të vazhdojë të qeveriset nga PDK.

“Ju vetë keni qenë dëshmitar të zgjedhjes se çështjes së Mitrovicës, apo problematikave që jemi ballafaquar tash e 14 vjet. 3 nëntori është dita e zgjedhjeve të lira në Kosovë, dita e zgjedhjeve lokale, por mbi të gjitha është dita e bashkimit të Mitrovicës” , ka thënë Thaçi.

Thaçi pret që PDK në Mitrovicë t’i fitojë zgjedhjet qysh në raundin e parë të zgjedhjeve, edhe atë me 60 përqind të votave.

Edhe Nënkryetari i PDK’së Kadri Veseli është shprehur i bindur se PDK do të fitojë në shumicën e komunave, përfshirë këtu edhe Mitrovicën.

“Besoj shumë se me këto burra e gra në emër të Zotit, Mitrovica universitare prapë do të qeveriset nga PDK”, ka thënë Veseli.

Kryetari aktual i Mitrovicës foli për projektet dhe punën që është bërë në mandatin e tij duke thënë se Mitrovica do të jetë model i qeverisjes jo vetëm për qytetarët e saj, por për gjithë qytetarët e Kosovës.