Largohet nga Nantes, Lenjani befason me klubin e ri

Në ditët e ardhshme, priten të reja rreth të ardhmes së futbollistit të Kombëtares.

Sport

18/07/2016 10:12

“Euro 2016” u mbyll dhe disa nga kuqezinjtë kanë përfunduar në merkaton e transferimeve. Një i tillë është edhe Ermir Lenjani.

Mbrojtësi që luan fare mirë edhe si mesfushor në të majtë, është një nga lojtarët që po ndiqet me interes nga disa skuadra.

Në fund të sezonit që u mbyll para Europianit, atij i përfundoi kontrata e huazimit te Nantes, ndërkohë që në pronësi të kartonit të tij është skuadra e Rennes.

Duke qenë se është periudhë merkatoje, futbollistët kanë përpara një sërë mundësish dhe ka disa ekipe që shprehin interesimin për shërbimet, por e ardhmja mbetet pezull derisa të ketë tratativa konkrete.

Për Lenjanin, burime të besueshme te “Panorama Sport”, pranë tij, tregojnë për disa skuadra që kanë shprehur dëshirën për të hyrë në bisedime për të ardhmen e futbollistit.

Në Francë, St. Ettiene është ekipi që ka nisur interesimin dhe është një nga pistat që shqiptari të mbetet pjesë e futbollit francez. Ndërkohë, kjo skuadër nuk është e vetmja, pasi bëhet fjalë edhe për të tjera ekipe që janë të gatshme të futen në tratativa për shërbimet e futbollistit të Kombëtares.

Në Gjermani, Eintracht Frankfurt mbetet një pistë e vlefshme për të ardhmen e futbollistit kuqezi. Ndërkohë, edhe në kampionatin turk ka një opsion të vlefshëm.

Bëhet fjalë për Trabzonspor që po ndjek situatën e tij dhe është i gatshëm të futet në bisedime për të ardhmen e shqiptarit.

Rene është skuadra që ka në pronësi kartonin e Lenjanit dhe që e huazoi atë te Nantes për një sezon.

Momentalisht, vlera e kartonit të tij është rreth 400 mijë euro, por duke qenë shifra paraprake, skuadra franceze mund të kënaqet edhe me më pak se kjo shifër për të hequr dorë nga e drejta e pronësisë mbi kartonin e futbollistit shqiptar.