Largohen nga tregu kosovar barnat e kompanisë “Jaka” nga Maqedonia

Produktet farmaceutike të fabrikës nga Maqedonia, “Jaka”, nuk janë të sigurta për përdorim, pasi kjo fabrikë nuk plotëson një sërë kushtesh. Barnat e kësaj fabrike ka më shumë se 14 vjet që janë në tregun e Kosovës.

Lajme

23/10/2014 09:11

Inspektimi i inspektorëve farmaceutikë të Agjencisë për Kontrollin e Produkteve Mjekësore në këtë fabrikë në Maqedoni ka evidentuar një sërë shkeljesh në prodhim dhe mungesë kushtesh elementare që një fabrikë duhet të këtë.

Tabletat “B-complex”, “Folan”, “Jekoderm krem”, “Tocopherol” janë vetëm disa nga produktet farmaceutike që do të largohen nga Kosova, , shkruan sot Koha Ditore.

Fabrika “Jaka” ka afat deri të hënën në orën 16 të tërheqë të gjitha produktet nga tregu i Kosovës. Gjatë këtyre ditëve që këto barna duhet të largohen nga barnatoret Agjencia për Kontrollin e Produkteve Mjekësore (AKPM) thotë se qytetarët nuk duhet të blejnë këto produkte. Kryeshefi i AKPM-së, Arianit Jakupi, ka konfirmuar këtë lajm për “Kohën Ditore”, në orët e vona të së mërkurës.

Ai ka thënë se Inspektorati i AKPM-së ka shkuar këtë javë në Maqedoni dhe ka evidentuar që ka disa gjëra që nuk janë në rregull me këtë kompani.

“Problemet janë të lidhura me kushtet e prodhimit, sistemi i ventilimit, sistemi i ajrosjes, ruajtja dhe aspektet e tjera profesionale”.

“Për produktet e kësaj kompanie të cilat janë në treg është obliguar kompania “Jaka” që deri të hënën në ora 16 të bëjë tërheqjen e produkteve nga tregu dhe për veprimet e ndërmarra ta informojnë AKPM-në”, ka thënë Jakupi për KD.