Lansohet platforma online“OpenJustice”

Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, Çohu! në partneritet me Organizatën Komunikimi për Zhvillim Shoqëror – CSD, me përkrahje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka prezantuar platformën online“OpenJustice”. Konferenca është mbajtur në gjykatoren e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës.

Lajme

22/09/2017 11:49

Të pranishëm ishin studentë të Fakultetit Juridik, përfaqësues nga Fakulteti, media dhe të tjerë.

ArtonDemhasaj, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës Çohu!, gjatë prezantimit të Platformës deklaroi se si “OpenJustice” si mjet online i cili funksionon në kuadër të “Open Data dhe StatisticalVisualization ka për qëllim që të ofrojë përdorim të hapur dhe lehtë të qasshëm për hulumtues, gazetarë, pjesëtarë të shoqërisë civile, qytetarë si dhe të interesuar të tjerë të cilët janë të përfshirë në monitorimin, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.

Në Platformëjanë të përfshira të dhënat për vitin 2015 dhe 2016 për rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të krahasuara me veprat tjera penale të karakterit sensitiv, ato kundër dhunës në familje dhe kundër të drejtave të njeriut.

Tutje Demhasaj shtoi se Platforma është e ndarë në tri pjesë:

  • Pjesa e parë përmban të dhënat nga prokuroritë për statusin e lëndëve për vitet 2015 dhe 2016;
  • Pjesa e dytë përmban të dhënat nga gjykatat për statusin e lëndëve për vitet 2015 dhe 2016, si dhe
  • Pjesa e tretë përmban gjetjet nga monitorimi direkt i seancave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë, kryesisht shkeljet e afateve ligjore.

Të pranishmit, kryesisht studentë, gjatë pyetjeve të tyre vunë theksin në vështirësitë në qasjen në të dhënat në prokurori dhe gjykata si dhe në mungesën e transparencës dhe llogaridhënies. Ata shtuan në vazhdimësi kanë probleme në mbledhjen dhe qasjen e të dhënave në prokurori dhe gjykata, të dhëna këto të nevojshme për arsye studimore.

Në  fund të konferencës edhe njëherë iu bë thirrje sistemit prokuroria dhe atij gjyqësor që sa më shpejtë të fillojnë me publikimin e sa më shumë të dhënave brenda suazave ligjore, ndër të tjera, aktakuzave dhe vendimeve gjyqësore.

Platforma “OpenJustice” do të përditësohet në vazhdimësi më të dhënat e vitit 2017 për prokuroritë dhe gjykatat./Lajmi.net/